Transmetuar më 10-04-2021, 14:29

Spitali Universitar i Kiotos në Japoni ka realizuar për herë të parë në botë transplantim mushkërive, ku dhurues ishte një pacienti gjallë.

Transplantimi i mushkërive është realizuar për herë të parë tek një grua japoneze, e cila ishte prekur nga COVID-19 dhe mushkëritë e saj kishin pësuar dëmtime të rënda.

Spitali Universitar i Kiotos tha se gruaja iu nënshtrua një operacioni që zgjati 11 orë, i cili u realizua nga një ekip mjekësor prej 30 personash.

Mjekët bënë të mundur transplantin e indeve të mushkërive nga djali dhe bashkëshorti i saj, të cilët e kishin kaluar më parë virusin.

Dihet tashmë që një ndër efektet e Covid-19 është dëmtimi i rëndë i mushkërive tek disa njerëz në të gjithë botën, përfshirë edhe ata në Shtetet e Bashkuara, që i janë nënshtruar transplantit të mushkërive si pjesë e rimëkëmbjes së tyre nga sëmundja.

Por, spitali tha se ky ishte rasti i parë në të cilin indet e mushkërive ishin transportuar nga dhuruesit e gjallë te një pacient me Covid-19.

Dr, Hiroshi Date, kirurgu që drejtoi operacionin, tha se kjo u jep shpresë të gjithë pacientëve të infektuar me koronavirus, mushkëritë e të cilëve janë në gjendje shumë të keqe.

Pacientja, e identifikuar vetëm si një grua nga spitali në Japoni, u infektua me Covid-19 në fund të vitit të kaluar dhe e kaloi pjesën më të madhe të kohës e lidhur me një makineri, e cila kryente funksionin e mushkërive të saj.

Burri dhe djali tashmë janë në një gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe gruaja është në kujdes intensiv. Ajo sipas burimeve pranë spitalit pritet të jetë në gjendje të largohet nga spitali në rreth dy muaj/S.H /NOA.al