Transmetuar më 08-04-2021, 17:58

Një shqiptar i shtruar për Covid dyshohet se ka kryer një vrasje me dashje, duke i hequr prizën aparatit të frymëmarrjes së një shtetasi grek 76-vjeçar, gjithashtu i infektuar me koronavirus, që ndodhej në të njëjtën dhomë, për shkak të zhurmës së ventilatorit.

Bëhet fjalë për një 58-vjeçar, i shtruar në një prej spitaleve të Athinës, në Greqi, ku po trajtohej pej disa ditësh nga Covid-19 dhe ishte në një dhomë me pacientin grek.

Mediat greke kanë publikuar ngjarjen e tmerrshme për nga përmasat njerëzore.

“Protothema” ka siguruar edhe raportin paraprak të autoriteteve hetimore ku shkruhet se alarmi i aparatit të frymëmarrjes është dhënë dje rreth orës 23:00, në repartin 235, të klinikës patologjike të spitalit të Kryqit të Kuq, ku trajtoheshin pacientët me sëmundje të arterieve koronare.

Në dhomë ndodhej shtetasi grek, me inicialet S.E., 76 vjeç, i intubuar dhe shtetasi shqiptar me inicialet M.S., 58 vjeç, i cili nuk ishte i intubuar.

Mjekët nuk arritën ta kthejnë në jetë 77-vjeçarin dhe në orën 00:12 i konfirmua vdekja e tij.

Aty u zbulua se priza e ventilatorit kishte dalë, tubi i frymëmarrjes kishte dalë nga baza dhe ekrani i ventiluesit ishte përmbysur.

Ekspertët e Mjekësisë Ligjore gjetën gjurmë gishtash të shqiptarit në pajisjen e ventilatorit. Momentalisht, shtetasi shqiptar nuk është arrestuar, pasi po trajtohet në spital.

Mjekët thanë se ai në të kaluarën ka pasur çrregullime të shëndetit mendor.

Prej ditësh ai ankohej për zhurmën e aparatit të frymëmarrjes së shtetasit grek. Mjekët u thanë hetuesve se ditët e fundit gjendja shëndetësore e 76-vjeçarit grek ishte përmirësuar ndjeshëm dhe ata besonin se ai ishte gati që të dilte nga intubimi, por fatkeqësisht, shoku i dhomës i hoqi tubin e oksigjenit që çoi edhe në vdekjen e tij./a.m/NOA.al