Bayernin e ndal fati dhe Mbape, PSG triumfon në Mynih. Gjithçka e hapur në sfidën e dytë
Transmetuar më 08-04-2021, 11:38

PSG-ja ka triumfuar në ndeshjen e parë të çerekfinales të Ligës së Kampioneve, teksa ka mposhtur në transfertë Bajernin e Mynihut.

Padyshim lojtari i ndeshjes ishte Kylian Mbape, i cili realizoi dopietë golash, në minutat 3’ dhe 68’, për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij, e cila është si një lloj hakmarrje për atë humbje në finalen e sezonit të kaluar në Champions. Golin tjetër për PSG-në e shënoi Markinjos në minutën e 28’, pas një asisti perfekt të Nejmarit.

Bajerni arriti të shënojë dy herë, fillimisht me Çupo-Moting në minutën e 37’ dhe me Mylerin në minutën e 60’, por këto gola nuk mjaftuan, për të siguruar të paktën një barazim.

Gjermanët kishin mundësinë të shënonin më shumë gola, me rastet e shumta që krijuan, por përballë kishin një super-Navas, i cili bëri disa pritje fantastike, duke i mohuar golin bavarezëve në shumë raste.

Kështu PSG-ja merr një fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen parë, me ndeshjen e kthimit që e luajnë në shtëpi.

FT| Bajern-PSG 2-3

Çupo-Moting 37′, Myler 60’/ Mbape 3′, 68′, Markinjos 28′

/K.B/NOA.al