Transmetuar më 07-04-2021, 17:11

Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh sot për të bërë një pasqyrim të situatës së koronavirusit në vend.

Duke e quajtur pozitive incidencën 2-javore, nuk është parë e nevojshme për masa shtesë kufizuese.

“Duke parë këtë përmirësim të lehtë të situatës, pavarësisht se kemi akoma numra shqetësues, ne mendojmë se masat e komitetit kanë qenë efikase dhe ky rezultat ka ardhur si pasojë i zbatimit të masave”, tha drejtuesja e Komitetit, Mira Rakacolli.

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico u shpreh se ka ulje të të prekurve dhe humbjet e jetëve janë më të pakta.

“Ka disa indikatorë që edhe ju jeni mësuar, është incidenca 2 javore që ka pësuar rënie. Pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet dhe këtë e monitorojmë edhe me numrin e testimeve. Mesatarja e rasteve ka rënë, ashtu si edhe numri i rasteve aktive. Por ne vëmë re se ka rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura, nga 32 në 38.

Raporti mes meshkujve dhe femrave mbetet 48-52%. Kemi një ulje të numrit të vdekjeve për këtë javë, nga 70 në 55. Kjo javë përcjell një punë të jashtëzakonshme në raport me vaksinimin.

Vazhdon procesi i vaskinimit të mjekëve, policëve, gazetarvë, farmacistëve dhe stomatologëve, ashtu si edhe vaksinimi i popullsisë mbi 70 vjeç. Qytetarët përpos procesit të vaksinimit, të mbajnë distancën dhe të vendosin maskën”, tha Albana Fico.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj bëri me dije se thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante.

“Thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante, janë 1700 në 24 orët e fundit. Ajo që vihet re është se numri i vizitave për Covid ka rënie. Numri për qarkun e Tiranës me qarqet e tjera është barazuar, pra ka një rritje në qytetet e tjera.

Edhe numri i shtrimeve vijon të jetë në ulje, gjë që tregon për një ulje të të gjtihë indikatorëve. Ka 3, 4 fshatra që i janë shtuar së fundmi listës së qyteteve me infektime, pra ka zona të largëta të reja të prekura nga COVID19”, tha dr. Brataj.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka shprehur shqetësimin që gjatë fushatës elektorale, disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime në kundërshtim me rregullat e vendosura, ndërkohë që kanë bërë thirrje që këto rregulla të zbatohen. /k.k/noa.al/