Kreu i PD: Çfarë ndryshon për mediat dhe gazetarët pas ardhjes sime në pushtet
Transmetuar më 06-04-2021, 21:45

Basha: Me ardhjen e opozitës në pushtet, edhe televizioni publik do të rikthehet në vendin që i takon

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha paralajmëroi sonte një reformë në fushën e medias duke përfshirë jo vetëm atë shtetërore, por edhe sektorin privat, me synim përmirësimin e tyre.

Basha tha sonte se dy janë fushat kryesore në të cilat ai si kryeministër nesër do të ndikojë në përmirësimin e lirisë së medias.

"Së pari statusi i gazetarëve. Garantimi i gazetarit dhe i punëtorit të medias, se kur flas për gazetarët flas për këdo, flas edhe për operatorët, flas edhe për editorët, flas edhe për kryeredaktorët, për të gjithë ata që merren me median që nuk do të jenë në mëshirën e pronarit qoftë ky pronar privat që është shumica e mediave sot, qoftë ky pronari publik.

Një status financiar, një status dinjitoz, në mbrojtje të pamatshme siç e meriton dikush që është përçues i interesit publik dhe është mediatori midis interesave të ndryshme të një shoqërie në veçanti mediatori midis qeverisë dhe të qytetarëve.

Statusi i gazetarit do t’i japë fund abuzimit dhe varësisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias nga tekat e pronarëve të medias apo akoma më keq nga tekat e qeverisë apo të politikës që diktojnë pastaj pronarët e medias duke i mbajtur ata peng apo duke i joshur me forma dhe mënyra të ndryshme", tha Basha në intervistën e mbrëmjes së sotme në RTSH1 që po monitoron noa.al.

Ai shtoi se zotimi i dytë është forcimi i televizionit publik. "Forcimi i televizionit publik do të thotë që ne do të propozojmë dhe shpresojmë edhe me miratimin e opozitës së ardhshme socialiste, do të kalojmë një ligj në parlament ku financimi i televizionit publik do të jetë një përqindje e caktuar e buxhetit dhe i gjithë mekanizmi i mbikëqyrjes dhe i vënies në punë e televizionit publik do të bëhet në mënyrë të tillë që ti përkasë realisht botës së medias, ti përkasë gazetarëve dhe shoqatave të gazetarëve dhe jo të ndikohet politikisht. Pra mos të jetë pronë e pashpallur e partisë në pushtet".

Por çfarë pret Basha nga televizioni publik? "Ajo që unë pres nuk është që të më shërbejë mua si kryeministër nesër apo partisë time në pushtet, por pres që përmes parave të taksapuguesve me të cilat paguhet të zërë atë vend në audiencë dhe t’i japë atë vend debatit publik që meriton një shoqëri e emancipuar evropiane", tha z.Basha. /noa.al