Transmetuar më 07-04-2021, 11:39

Identifikimi elektronik, pajisja që garanton votim të sigurt

TIRANË, 7 Prill 2021 NOA.AL – Për herë të parë në Shqipëri, më 25 prill 2021, zgjedhjet e pritshme parlamentare do të realizohen përmes identifikimit elektronik të të gjithë votuesve.

Në këtë mënyrë, do të ketë një ndërthurje të së drejtës së votës si një e drejtë themelore. Nga njëra anë kjo e drejtë duhet të ushtrohet me vullnet të lirë, në mënyrë të barabartë dhe transparente. Dhe nga ana tjetër nevojitet votim i sigurt, pa shkelje që janë hasur rëndom në 30 vite procese zgjedhore në Shqipëri.

Për të mundësuar këtë transparencë zgjedhore, për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet identifikimi elektronik, pajisja që garanton votim të sigurt, duke eliminuar krejtësisht shkeljet që mund të hasen në qendrat e votimit.

Noa.al mëson se këtë risi e ka marrë përsipër "Smartmatic", kompania lider në proceset e identifikimit elektronik të zgjedhësve. Kjo kompani, mësohet se ka marrë pjesë në zgjedhjet e 5 kontinenteve, duke regjistruar 5 miliardë votues, me eficencë të plotë, pa paraqitur asnjë gabim. Smartmatic ka sjellë teknologjinë e saj edhe në Shqipëri.

Më 25 prill, identifikimi elektronik do të zbatohet si një risi teknologjike edhe në Shqipëri. Ajo do t’i bashkohet punës së komisionerëve në çdo qendër votimi dhe ofron një ndihmë esenciale në procesin e votimit.

Risia pritet të shuajë dhe një pjesë të mirë të konflikteve politike mes palëve duke eliminuar dyshimet e forta të hedhura në çdo palë zgjedhje, për votim abuziv dhe selektiv, pasi vetë mënyra e identifikimit linte plot hapësira për shkelje të tilla.

Identifikimi elektronik i zgjedhësve do të parandalojë votimin e shumëfishtë dhe votimin për llogari të personave të tjerë.

Pajisja siguron evidentimin qartë dhe në mënyrë të pakontestueshme rastet e mësipërme. Ndërsa paralajmëron se personat përgjegjës me këtë rast dënohen penalisht.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me qëllim që më datë 25 prill 2021, qytetarët shqiptarë të mund të zgjedhin, votojnë dhe vendosin për zgjedhjet parlamentare, përmes sigurisë së plotë të identikimit elektronik, kryen këto ditë testime në Tiranë dhe rrethe si Fier, Kukës, etj.

Në testimet e bëra u demonstrua pajisja elektronike e identifikimit të zgjedhësve (PEI) që do të përdoret në zgjedhjet e datës 25 prill 2021. Për të prezantuar mënyrën se si pajisja do të funksionojë në ditën e votimit, u simulua procesi i votimit.

Por çfarë ndodh kur një votues tenton të bëjë shkelje duke dashur të votojë disa herë? Nënkomisionerja Lealba Pelinku thotë se edhe kjo është e zgjidhur: "Një nga funksionet kryesore të pajisjes është evidentimi i rasteve kur zgjedhësi tenton të votojë më shumë se një herë. Duke patur parasyesh se pajisja përmban vetëm listën e zgjedhësve të asaj qendre votimi ku pajisja është e vendosur, bëhet i pamundur votimi i zgjedhësve të cilët nuk janë të regjistruar në atë qendër votimi”.

Noa.al ndoqi votimin e simuluar edhe në Tiranë siç shihni fotot në galeri. Duke parë dinamikën e zhvillimit të testimit, ajo çfarë duhet të kenë parasysh zgjedhësit më 25 prill është fare e thjeshtë: Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Procesi i identifikimit elektronik do të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale. Por këtë radhë komisionerët do ti kenë duart larg procedurës sepse këtë do ta bëjë pajisja.

Pasi shkon në qendër e votimit, zgjedhësi paraqet kartën e identitetit ose pasaportën, për tu identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përvec dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për të evidentuar raste të mundshme të votimit të paligjshëm. /a.b/noa.al/