Transmetuar më 06-04-2021, 12:50

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer pak ditë para zgjedhjeve të 25 pillit do të zhvillojë një bisedë “online” me përfaqësuesit kryesorë politikë të vendit.

Palmer besohet se do të sugjerojë palët për atë që Shtëpia e Bardhë dëshiron të arrihet në zgjedhje. Përpos bisedës me Metën, Ramën, dhe Bashën, zyrtari i lartë amerikan do të ketë diskutime edhe me ata që Ambasada Amerikane në njoftimin e bërë publik, i quajti “kampionët e reformës në drejtësi”.

“Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer do të zhvillojë sot një "vizitë virtuale" në Shqipëri”.

“Ai do të takohet me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për të diskutuar mbi përparësitë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit.”

“Zv.Ndihmës Sekretari Palmer do të takohet gjithashtu me kampionët e reformës në drejtësi. Ai do ta përfundojë vizitën e tij me një tryezë të rrumbullakët me gazetarë, të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit dhe trajnimit të SHBA”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit lokale, kur dihet që opozita i bojkotoi ato, Palmer ndërhyri duke kërkuar që PS-së të futej e vetme, ndërsa SHBA e njohu procesin si të rregullt.

/a.m/NOA.al