Transmetuar më 06-04-2021, 12:34

Në vitet 1980 Shqipëria ishte “Koreja e Veriut e Evropës”, shteti ballkanas që u izolua pasi kishte prishur marrëdhëniet me Moskën dhe Pekinin. Por pasi Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë u shemb në 1992 vendi filloi të binte nën pushtetin e kriminelëve.

Një nga “kumbarët” më të shquar në botën e nëndheshme shqiptare të krimit është vrarë nga persona të armatosur të cilët e qëlluan 120 plumba në Range Rover-in e tij, me armë automatike Kalashnikov.

Kështu nis një artikull i AP, të cilit i janë referuar mediat e huaja.

Bardhok Pllanaj, i njohur si “Kumbari”, u qëllua me armë të dielën, 4 Prill, në rrugën nga qyteti i Shkodrës në veri të Shqipërisë teksa po shkonte për në shtëpinë e tij në periferi të Dobraç.

Pllanaj, 46 vjeç, ishte gjykuar dhe dënuar në mungesë në Belgjikë për trafikim qëniesh njerëzore dhe thuhet se ishte përfshirë edhe në trafik droge.

Atentatorët e ndoqën atë dhe më pas qëlluan në makinën e tij nga trotuari.

Ata më pas hipën në një makinë dhe u larguan me shpejtësi. Më vonë makina u gjet e djegur me armët e vrasjes brenda saj.

Në 2014 Pllanaj u dënua në Gjykatën e Rrethit Shkodër për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe ndërtim të paligjshëm të një ndërtese 10-katëshe që dyshohet se kishte për qëllim pastrim parash.

Atë vit, një operacion i përbashkët midis policisë shqiptare dhe asaj italiane e identifikoi atë si të përfshirë në një operacion kontrabandë droge në Lagunën e Vilunit.

Ai i shpëtoi arrestimit dhe dyshohet se u fsheh në një makinë që i përkiste Mark Frrokut, i cili atëherë ishte anëtar i parlamentit shqiptar.

Frroku mohoi përdorimin e imunitetit të tij si deputet për të mbrojtur Pllanajn.

Në vitin 2015 u raportua se vetë Frroku ishte dënuar në mungesë për vrasjen e një burri në Belgjikë. Frroku, i cili ishte i njohur në Belgjikë si Besnik Morina, gjithmonë e ka mohuar vrasjen e Aleksander Kurtit pranë një stacioni treni në Brukselin qendror, në Mars 1999./a.m/NOA.al