Transmetuar më 04-04-2021, 22:01

Vrasje në mes të rrugës në Shkodër, i marrin jetën në ecje e sipër me makinë, një biznesmeni 46 vjeçar.

Viktima është Bardhok Pllanaj, banues në Shtoj i ri, raporton noa.al duke cituar burime nga policia lokale.

Ngjarja ndodhi sonte rreth orës 21:10, pra është Unazës në Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër.

I ndjeri ishte duke udhëtuar me automjet kur është vrarë me armë zjarri.

Pak minuta më vonë siç shihni foton, u gjet makina e djegur e autorëve.

Noa.al raporton se makina e djegur është gjetur pranë pompave ne Dobraç. Ajo ishte me targa italiane.

Brenda në makinë janë gjetur dy armë ndërsa ngjarja mbetet ende pa autor të identifikuar.

Shërbimet e Policisē kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli. Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar dhe grupe të FNSH Shkodër.

Pamje nga vendngjarja

Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Kush ishte Bardhok Pllanaj

Bardhok Pllanaj

46-vjeçari Bardhok Pllanaj cilësohej si “Kumbari” i Shkodrës. Dy vite më parë policia dhe prokuroria i sekuestroi një pallat me vlerë 2 milionë euro, ndërsa u vu nën akuzë për tre vepra penale “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Sakaq, në vitin 2014, i njohuri si i forti i Shkodrës ishte arrestuar për trafik droge. Bardhok Pllanaj njihej si njeriu që trazoi politikën dhe policinë disa vite më parë.

Në vitin 2014, “Kumbari” i Shkodrës u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku, për t’iu shmangur arrestimit nga policia, e cila e kërkonte për trafik droge.

Atëherë Frroku mohoi akuzat në drejtim të tij, por në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut, shkruhej se i dyshuari në suervejim prej tyre kishte lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë, drejt Lakrapës me automjetin “Audi” në pronësi të deputetit.

Pllanaj më herët ishte hetuar së bashku me disa persona të tjerë, si pjesë e grupit të të arrestuarve në kuadër të operacionit “Laguna e Vilunit”, madje ndaj tij u nxor edhe një urdhër arresti, por në atë kohë ai nuk u gjet. Ai i shpëtoi dënimit për mungesë të provave.

Gjatë operacionit “laguna e Vilunit" të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rrezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg. Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve është identifikuar si shtetas italian.