Transmetuar më 01-04-2021, 17:54

Dy persona të moshuar kanë humbur jetën pasi morën vaksinën kineze Sinovac, dozën e parë.

Noa.al raporton se një burrë 88 vjeç nga Tirana, ka gjetur vdekjen dy ditë pasi kishte marrë dozën e parë të vaksinës kineze.

Mësohet se i ndjeri pati probleme me mushkërinë dhe pamjaftueshmëri me frymëmarrjen.

Ndërkohë, një 74-vjeçare nga Berati ka humbur jetën një ditë pasi mori të njëjtën vaksinë. E moshuara që vuante nga hipertensioni, pësoi trombozë.

Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, duke folur sot për A2 tha se vaksina “jo çdo vdekje pas vaksinimit ka lidhje me të”.

Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, mjeku Erion Dasho, ka kërkuar që të ndërpritet vaksinimi në Shqipëri me vaksinën kineze kundër COVID-19, CoronaVac, pas vdekjes së dy personave që kanë marrë këtë vaksinë.

Dasho me një postim në Facebook i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje.

“Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac derisa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë”, tha ai.

“Kjo thirrje nuk ka aspak për qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjeshtë është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakoviligjencës. Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm. Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht”, ka shkruar Dasho në Facebook.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd