Rrëfimet e dy femrave shqiptare, pse janë shtrënguar të shesin trupin për llogari të tutorëve
Transmetuar më 31-03-2021, 06:09

Femrat shqiptare, të cilat bien viktima të prostitucionit, shumë prej të cilëve në moshë të mitur kanë tërhequr vëmendjen e rrjetit të madh mediatik britanik, BBC.

“I urrej dhe dua që ata të marrin ndëshkimin e merituar,” – thotë S., një prej vajzave shqiptare që ka rënë viktimë e prostitucionit. “Ata të heqin lirinë, të shfrytëzojnë, bëjnë ç’të munden."

BBC, në këtë reportazh të radhës mbi trafikimin e qenieve njerëzore, nxjerr në pah plagët që shkakton prostitucioni ku shumë prej viktimave të këtij fenomeni janë vajza të mitura shqiptare, që fillimisht mashtrohen më pas përdhunohen dhe trafikohen.

Nënvizohet se disa nga vajzat e mitura shqiptare janë shfrytëzuar deri në skllavëri.

Historia e njërës prej vajzave të mashtruara, teksa ajo flet shqip dhe me shpinë nga kamera pa dashur të tregojë fytyrën, nis që kur ka qenë 14-vjeçe dhe kur e shitën si objekt seksual. E dërguan në Greqi ku shfrytëzohej nga shumë burra, çdo ditë.

Ajo tregon se mendoi se në Greqi do shkonte me atë që e donte. Por u detyrua me forcë të flinte me shumë njerëz brenda ditës.

“Ishim të tmerruara. Nuk na lejonin të dilnim jashtë dhe na kontrollonin çdo gjë që bënim”, flet vajza nga Shqipëria.

Viktima tjetër është A. Ajo vinte nga një qytet i vogël rural, por u mashtrua nga i dashuri dhe braktisi shtëpinë. Më pas thotë se e shitën për prostitucion në Angli.

“Unë nuk kisha parë përtej shtëpisë, ku dija gjë unë”- -thotë ajo, duke shtuar se kur e pa veten në Angli, as e kishte idenë se ku ajo ishte.

Kur pyetet se a është përdhunuar, viktima përgjigjet “po për çdo ditë, nga shumë meshkuj”.

Shumë trafikues të qenieve njerëzore mbahen në burgun e sigurisë së lartë në Korçë dhe disa prej tyre janë të dënuar me 20 vjet burg.

Në burgun e sigurisë së lartë në Korçë BBC ka marrë në pyetje edhe një të dënuar për trafikimin e të miturve.

I dënuari F.K., aktualisht po vuan dënimin prej 15-vjetësh për trafik të fëmijëve në Greqi, dhe i detyronte ata të shfrytëzoheshin për prostitucion apo lypje.

Ai është madje edhe prind dhe  i martuar. “Ishte një kohë që shumë vetë e bënin këtë punë,” – thotë ai, që në fytyrë shfaq edhe shenja pendese, ndoshta turpi.

“Ishte e tmerrshme. Po nëse ajo do të ishte fëmija im dhe dikush do të vepronte njësoj? Është vërtet e tmerrshme.”