
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se brenda prillit do të mbërrijnë edhe 20 mijë doza vaksinash nga Pfizer.
“Jo vetëm do t’ia dalim, po do t’ia dalim të rikthehemi në jetën e dëshiruar më shpejt e më mirë se shumë të tjerë!”, – u shpreh ministrja.
“Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac”, bëri me dije Manastirliu.
“Të gjithë ekipet tona të vaksinatorëve po bëjnë një punë shumë të mirë. Fakti që për tre ditë radhazi kemi kryer mbi 50 mijë vaksinime tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme. Por sigurisht jemi përgatitur që të rrisim numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve tona të burimeve njerëzore, të cilat tashmë i kemi trajnuar dhe i kemi futur edhe në forcë”, – u shpreh Manastirliu.
Procesi i vaksinimit do të vijojë në qendrat e përqendruara por edhe qendrat shëndetësore në vendin tonë. Ditën e diel nisi vaksinimi masiv në të gjithë vendin për moshat mbi 70 vjeç, ndërsa nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.
/a.m/NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





