E hodhi në fushë prej nervave/ Për çfarë do përdoren paratë nga shitja e shiritit të kapitenit
Transmetuar më 30-03-2021, 22:19

Përballja mes Serbisë dhe Portugalisë nuk u mbyll ashtu siç duhet për portugezët pasi nuk morën 3 pikëshin e kërkuar.

Mediat serbe kanë raportuar se shiriti i kapitenit, të cilin Cristiano Ronaldo e hodhi në barin e stadiumit “Rajko Mitic” nga revolta pasi nuk iu akordua goli për fitoren e Portugalisë kundër Serbisë do të shfrytëzohet pêr mirë. Shiriti i tij do të shitet në një ankand humanitar dhe të gjitha fondet e mbledhura do të përdoren për të trajtuar njê foshnje gjashtë muajshe Gavril Djurdjevic nga Kragujevac.

Sipas një deklarate nga Fondacioni "Së bashku për jetën", një punëtor me detyrë roje në stadium mori shiritin nga fusha dhe vendosi ta dhurojë atë, në mënyrë që të nisë një ankand humanitar që mund të ketë jehonë në botën e futbollit. Gavrilo vuan nga atrofia muskulore kurrizore dhe duhen dy milion e gjysmë euro për trajtimin e tij.

Fatkeqësisht, familja nuk ka kushte për të mbledhur këto fonde më vete, kështu që ata iu drejtuan publikut të gjerë për ndihmë. Shiriti i kapitenit të Cristiano Ronaldos do të jetë i disponueshëm përmes një ankandi humanitar për tre ditët e ardhshme, dhe dhuruesi që ofron shumën më të madhe do të marrë patjetër një pjesë të historisë së futbollit.