Transmetuar më 27-03-2021, 19:16

Ky është vetëm njëri prej shumë të rinjve nga Siria, të cilët enden çdo ditë rrugëve të Tiranës.

Të shpërndarë në disa zona, ditën i gjen në rrugët e zhurmshme nga makinat.

Përfitojnë nga sekondat e semaforit të kuq për të kërkuar lëmoshë te shoferët e automjeteve.

Fytyra e tyre të imponon një lloj mëshire, por në disa raste sheh që bëhen edhe agresivë nëse dikush nuk u përgjigjet.

Kur afrohen te xhami, bëjnë me shenjë se duan të hanë, por nuk kanë lekë. Dhe kështu ecin përgjatë rrugëve, me shpresën se dikush do u japë diçka.

“Jam nga Siria, më fal diçka”, kjo është fjali që përdorin më shpesh. Ka edhe të tjerë që mundohen ta fitojnë bukën e gojës duke punuar.

Jo ndonjë punë të vështirë, por duket se ndershmëria dhe merita ka më shumë vlerë për ta. Me disa pako kartopeceta në dorë, dhe me një shqipe të vështirë, kërkojnë që t’i shesin.

Kanë mësuar edhe çmimin, 200 lekë thonë. Raste të tilla gjen me shumicë në rrugët e kryeqytetit. Por herë pas here policia ka raportuar se sirianët janë përfshirë edhe në ngjarje kriminale, si vjedhje.

Janë larguar nga vendi i tyre që për vite më radhë ka përjetuar krime të rënda, dhe tentojnë të depërtojnë në shtetet e Bashkimit Europian. /k.k/noa.al/