
Vaksinimi masiv në Shqipëri pritet të nisë javën e ardhshme. Lajmin e bëri me dije ministrja e Shëndetësisë, gjatë ndjekjes nga afër të procesit të vaksinimit të mësuesve në Kamëz.
Manastirliu u shpreh se është finalizuar edhe marrëveshja me Kinën për vaksina kundër koronavirusit.
“Sot finalizojmë edhe aktin normativ për vaksinat, të cilat jemi duke blerë nëpërmjet distribuotrit të autorizuar dhe besoj që javën që vjen fillojmë vaksnimin masiv”, deklaroi Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama bëri me dije objektivi kryesor në këtë situatë është nisja e vaksinimit masiv për të moshuarit.
“E kam në majë të gjuhës, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, të cilat janë pika e dobët e çdo familje nga pikëpamja e dashurisë dhe përkujdesit, por edhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika e dobët.
Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshërit dhe gjyshet është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes time në punë gjatë gjithë kësaj periudhe, me ndihmën e Zotit, të miqëve dhe këmbënglujen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Që prej fillimit të vaksinimit janë bërë në total 52,050 doza të vaksinës ndaj COVID19. Janë kryer 28,659 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 8,889 vaksinime për të të moshuar dhe 14,502 vaksinime për arsimtarët. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





