Transmetuar më 23-03-2021, 23:24

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, nuk po i ndahet biznesmenit Tom Doshi i cili kandidon sërish për deputet, jo më me Partinë Socialiste, por me atë Socialdemokrate që e kishte rreth 30 vjet Skënder Gjinushi.

Ndërsa Tom Doshi me partinë e tij ndodhet nr 1 në fletën e votimit, zonja Kim, mbrëmjen e sotme ka rishpërndarë për të tretën herë njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018, që shpallte “non grata” në SHBA Tom Doshin.

Bashkë me këtë, ajo i bëri thirrje të gjithë palëve politike që të mos heshtin ndaj përfshirjes së udhëheqësit të PSD-së në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit.

Zonja Kim lëvdoi partinë e Lulzim Bashës që po kërkon sipas saj të mbajë larg të inkriminuarit dhe sulmoi "të tjerët" që bëjnë aleancë me elementë kontigjent:

"Kemi vënë re që Partia Demokratike dhe të tjerë nuk e duan në Parlament dikë që është përfolur për korrupsion. Të tjerëve u them: Nga çfarë keni frikë? A është e “dobishme” që të qëndrojmë të heshtur? Pse i lini njerëzit që të mendojnë se jeni aleatë? Kjo është ajo që mendoni se meritojnë votuesit? Shqipëria meriton më shumë”, shkruhet në postimin e ambasadores amerikane.

Më herët sot në një vizitë në Shkodër, Kim u takua vetëm me dy kandidatët e parë të listave të demokratëve dhe socialistëve, duke shmangur Tom Doshin.

Në lidhje me kandidimin e tij, gjatë një takimi me gazetarët e Shkodrës, Kim tha se ky është problemi i drejtësisë shqiptare, por jo vetëm.

Ambasadorja tha se shqiptarët ankohen se për drejtuesit e tyre, por janë veta ata që i votojnë dhe i zgjedhin.

“Jeni ju që i hapni rrugë, i përkrahni dhe i votoni edhe personat e inkrinimuar”, ishte deklarata e fortë e zonjës Kim.

Mbetet të shohim nëse pas kësaj deklarate të radhës së SHBA, do të ketë ndonjë lëvizje nga Tom Doshi. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd