Transmetuar më 23-03-2021, 06:43

Skandal tjetër i rëndë me mjekësinë, pas 70 ditësh i thanë se i ka vdekur babai. Për ditë të tëra familja çonte ushqime

Të përfundosh në spital dhe familja mos dijë asgjë më për ty. Të vdesësh dhe të qëndrosh për muaj të tërë në morg ndërsa të afërmit as që e dinë se ke vdekur.

Duket si skenar filmi thriller, por është diçka e rëndë që ka ndodhur mes Vlorës dhe Tiranës.

Luan Zeqiri, një banor i qytetit të Vlorës, u ndje keq më 27 dhjetor të vitit të kaluar dhe familjarët e tij telefonuan urgjencën duke njoftuar se babai dukej të ishte shumë sëmurë.

Në banesë erdhi një autoambulancë e cila mori Luanin dhe e dërgoi në urgjencën e spitalit të Vlorës.

Anila Zeqiri, vajza e Luanit, tregon se në këtë spital i thanë se është e shtruar aty, pa e lejuar që ta shohë. Vajza pohon se çdo ditë dërgonte në këtë spital ushqime për të atin e kjo siç pohoi, ka ndodhur deri më 10 janar. Qeset me ushqime i merrnin infermieret pasi siç u thoshin, nuk lejohej të ngjiteshin në katin e katërt të spitalit ku presupozohej se gjendej i sëmuri.

Por Anila nuk e dinte se i ati ndërkohë kishte vdekur. Sikurse u panë dokumentet, Luan Zeqiri, po më 27 dhjetor është dërguar në spitalin Covid në Tiranë në gjendje të rëndë dhe ka vdekur më datë 6 janar 2021. Që nga ajo ditë e deri tani, trupi i të ndjerit gjendej në morgun e QSUT.

Këtë e konfirmoi edhe mjeku që tha: "Më datë 27 dhjetor më datë 4 pa një çerek ka ardhur nga urgjenca e Vlorës. Më datë 6 janar ka ndërruar jetë dhe është dërguar në morg dhe aty është akoma dhe mbahet në kushte frigoriferike.

Familjari me të drejtë shtroi pyetjen: "Pse nuk është njoftuar spitali i Vlorës që ka vdekur? Nuk njoftohet në këto raste? Kjo është papërgjegjshmëri!"

Pasi ky skandal i dhimbshëm u bë publik në TV Ora ministria e Shëndetësisë kontaktoi familjarët dhe ata mundën të tërheqin trupin e të ndjerit nga morgu 70 ditë pasi kishte ndërruar jetë.

Por këtu ka edhe një paradoks. Mjekët në Vlorë i thanë familjarëve se Luan Zeqiri kishte qëndruar aty dy herë pasi e kishin kthyer nga Tirana dhe e kishin ridërguar. Kurse një dokument i spitalit tregon se i ndjeri kishte qëndruar vetëm një orë në urgjencën spitalore të Vlorës e mandej ishte dërguar në spitalin Covid në Tiranë ku edhe vdiq më 6 janar 2021.

Episodi i shëmtuar/ Kur mjeku kërcënon të të rrahë

Mjeku në spitalin e Vlorës: Ka ikur më 27 dhjetor, 2 herë në Tiranë. Ka ardhur dhe ka ikur sërish atje. Ka qenë në urgjencë dhe është nisur për në Tiranë më 27 dhjetor. Ti mos na kërko babain tënd ti, mos të të zë me dacka!

Familjari: Ju nuk merrni ndonjë kontakt me ata të Tiranës se çfarë ndodh?

Mjekja: Jo nuk kemi kontakte, sepse është spital Covid ai."