Projekti i ndriçimit artistik të Kalasë së Shkodrës tashmë ka përfunduar.
Pas 8 vitesh errësirë Kalasë së Rozafës në Shkodër i rikthehet ndriçimi. Ndriçimi i kalasë u bë i mundur nga Ministria e Kulturës, që parashikon investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës.
Në sajë të këtij projekti janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës.
Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit, përmes lojës së dritave, do ta kthejë atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Kështjella Rozafa po i kthehet qytetit, si një pikënisje për rijetëzimin e kulturës dhe sinergjisë.
Kalaja e Rozafës është monumenti historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).