Transmetuar më 19-03-2021, 18:18

Dy fëmijë, 4 dhe 6 vjeç, tani janë jetimë. Një i tretë nuk erdhi kurrë në këtë botë. Dy prindërit e tyre nuk janë më. Ajo, nëna, u vra barbarisht me 31 goditje thike. Ai, babai, u gjet i vdekur jo larg shtëpisë, nuk dihet si dhe pse.

Tragjedia ka pllakosur në familjen Medinaj në lagjen "Sheq i madh" të qytetit Fier. Irvana Hyka Medinaj, 28 vjeçe, vdiq pardje pasi u sulmua me thikë nga burri i saj Demokrat Medinaj, një vit më i madh.

Tani dy fëmijët motakë kanë mbetur pa prindër dhe po mbahen nga të afërmit.

Por pse ndodhi e gjitha kjo?

Të afërmit pohuan se Irvana e ndjerë ishte rreth gjashtë javëshe shtatzënë dhe priste një fëmijë të tretë.

Atë mbrëmje të së mërkurës, dy bashkëshortët, Irvana dhe Demokrat Medinaj kanë qenë në shtëpi bashkë me dy fëmijët e tyre të mitur dhe disa familjarë të tjerë.

Burrë e grua kanë qenë duke folur së bashku, por në bisedë e sipër mes çiftit ka lindur një debat. Më pas, gjithçka ka kaluar në ofendime dhe përplase mes tyre.

Në ato momente, aty gjendej dhe fëmija më i madh, 6 vjeçar.

Banesa ku ndodhi ngjarja

Në një situatë që doli jashtë kontrollit, 29-vjeçari ka marrë thikën e kuzhinës dhe ka nisur ta qëllojë gruan e tij plot 31 herë duke e masakruar atë.

Edhe pse kanë tentuar familjarët ta ndalojnë, i riu ndoshta i pavetëdijshëm në ato çaste, u tha të largohen se mund të shkonte edhe më keq situata.

Familjarët kanë njoftuar policinë e cila disa minuta më pas u gjend aty. Në skenën e krimit mungonte autori i dyshuar i cili u zhduk nga shtëpia.

Sakaq, nën mbikëqyrje të psikologut po mbahet fëmija 6 vjeç, i cili për shkak se ka parë skenën e krimit është i tronditur.

Në hetimet e para policore, mësohet se të afërmit kanë treguar se gjithçka ndodhi për një fjalë goje. Sipas tyre, sherri filloi për pak gjë, duke marrë seriozisht fjalët e njëri-tjetrit. Të afërmit pohojnë se lidhja martesore gati 10 vjeçare e çiftit Medinaj ka qenë normale dhe çifti nuk ka pasur më parë ndonjë sherr domethënës.

Të afërmit e çiftit Medinaj

Ata gjithashtu kanë përjashtuar mundësinë që Demokrat Medinaj të ketë pasur probleme mendore. Sipas tyre, ai ishte nevrik, por jo i sëmurë mendor.

Megjithatë askush nuk shpreh qartësisht se cili ishte shkaku që çifti përfundoi në tragjedi me dy të rritur të vdekur, një fëmijë ende të palindur dhe me dy fëmijë që mbetën jetimë.

Ndërsa familja bëhej gati për të përcjellë Irvanën në banesën e fundit, dje u mësua se edhe Demokrati kishte vdekur. Paraditen e djeshme, 29-vjeçari Demokrat Medinaj, u gjet i pajetë në vendgrumbullimin e mbetjeve në periferi të qytetit të Fierit.

Vendi ku u gjet kufoma e të riut ishte rretj 300 metra larg banesës ku ndodhi ngjarja e rëndë, te zona e njohur si "Vija e ngjalës" Siç shihni në video momentet kur policia shkoi te trupi i të ndjerit.

Nga hetimet paraprake, dyshohet që i riu të jetë vetëhelmuar pasi kreu krimin dhe u arratis. Këto dyshime janë hedhur pasi në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd