Skrapari, kur një qytet i ka të gjitha: Natyrën, florën, faunën, historinë dhe traditat
Transmetuar më 18-03-2021, 06:49

Nëse do të flasim për natyrën, florën, faunën, historinë, gastronominë, apo traditat, Skrapari është pa dyshim një ndër rajonet më të pasur dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Kanionet e Osumit janë një “thesar” për t’u zbuluar. Nërkohë që teqetë në këtë zonë mbeten mistike dhe tërheqin mijëra pelegrinë.

Pamje nga lart e Kanioneve të Osumit

Historia

Qyteti i Skraparit historikisht ka qenë i banuar që nga viti 600 p.e.s. Gjetjet arkeologjike në këtë fushë i referohen dy periudhave. E para është krijimi i kulturave neolitike lidhur me procesin e diferencimit të grupeve shoqërore. Ndërsa e dyta ka të bëjë me konvergimin e këtyre kulturave nga Epoka e Bronzit në epokën e hekurit, duke provuar kështu jetën dhe rrënjët ilire të qytetit. Ky është një vazhdim i drejtpërdrejtë i Mesolitit, dëshmuar nga zbulimet e shumta “mikrolitike”, prania e qeramikës së trashë gjetur nga kohërat e 400-500 p.e.s.

Interesant janë gjetjet arkeologjike në banesa tip shpelle. Pranë Radeshit në nje shpellë është gjetur një inventar i pasur arkeologjik poçerie dhe kockash. Gjatë Epokës së Hekurit në këtë zonë u formuan qytete ilire paqësore. Kjo dëshmohet nga zbulimet arkeologjike, në të cilat janë gjetur mjete kryesisht dekorative. Në rajonin e Skraparit gjurmë të kulturës materiale më të plotë gjenden ne fshatin Leshnje dhe atë të Liqedhit. Këtu ndodhet një vendbanim rreth 2.5 m thellësi. Procesi i zhvillimit të kulturës të Liqedhit konfirmon formimin e komuniteteve kulturore ilire.

Por qysh nga shekulli II p.e.s dhe për shumë kohë më pas të dhënat mbi vazhdimësinë e jetës në këtë qytet janë mjaft të pakëta.

Vetëm në shekullin VI, në periudhën e dyndjeve barbare sllave, ky qytet përmendet në publik, por tashmë me një emër të ri CernoVodë (Uji i Zi), sot Çorovodë. Dihet që një vend me rëndësi në zhvillimin e kulturës qytetare ilire në Shqipëri zënë vendbanimet qytetare të tipit kala. Edhe në trevat e Skraparit kjo lloj kulture është mjaft e pranishme dhe është identifikuar nga studiuesit në disa pika. Më e vjetra ndërmjet tyre është Kalaja e Gradecit në Tomorricë, që i përket shekullit VII – VI p.e.s por mund të përmendim dhe Kalanë e Lavdarit, Dhoresit, Bregut të Koronit, Bargullasit, Prishtës, etj.

Kalaja e Skraparit është ngritur në majën e kodrës përballë qytetit të sotëm, e quajtur kodra e Cerovës, dhe që ndahet me të nga lumi Osum.

Që në dekadat e para të shek XV-të turqit kishin vënë nën kontroll të plotë trevat shqiptare nga Çamëria në Jug deri në lumin Mat. Pushtimi turk, ashtu sikurse për të gjithë Shqipërinë, pati pasoja mjaft të rënda edhe për popullsinë e Skraparit. Gjithësesi edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë krahina e Skraparit kishte zhvillimin e vet. Ndërkohë pas shpalljes së Pavarësisë dhe perfundimit të Luftës së parë dhe të dytë botërore, Skrapari ishte një zonë e pasur në industritë e drurit dhe e ruan akoma atë.

Kulturë dhe traditë

Traditat e jetës qytetare në kala e vendbanime të fortifikuara, në zonat e Skraparit e ruajtën vazhdimisinë e tyre edhe në periudhat e mëvonshme. Mjafton të përmendim faktin se qytetarët e krahinës ruajnë me kujdes edhe sot vlerat kulturore të trashëguara nga Kalaja e Skraparit.

Kostumet popullore të Skraparit janë një pasuri e një kulture të hershme. Ato kanë një vlerë shpirtërore dhe materiale. Kostumet janë të punuara me dorë dhe të zbukuruara me motive të ndryshme.

Ngjyra që është përdorur më shumë në qëndisjen e tyre është bojëqielli, jeshilja, e kuqja dhe e bardha. Veshja popullore është një trashgimi e pasur e zonës, e cila tregon për traditat e hershme të popullit shqiptar dhe kryesisht të Skraparit. Në veshjen tradicionale të Skraparit spikaten dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me zona të tjera që Skrapari ka pasur marëdhënie. Në veshje dallohen tipare të hershme siç është guna, element të tjerë janë mengorja, këmisha, takia, qeleshja, qylafi, fustanella, xhokja dhe opingat të bëra prej lëkure kafshësh, përsa i përket veshjeve të burrave.

Për gratë është jeleku, tumanet, fustani, këmisha, shamia, përparsia, çorapet. Për origjinalitetin dhe bukurinë që kanë këto kostume të Skraparit shumë herë kanë fituar çmime ndërkombëtare si kostumi më i bukur. Në Skrapar janë gjetur dëshmi të kulturës mesjetare. Midis këtyre trashëgimive mesjetare janë edhe të ashtuquajturat “Hamamet e Slatinjës” krijimi i të cilave daton që nga pushtimi i Perandorisë Osmane. Skrapari është dhe vendlindja e poetit të njohur Xhevair Spahiu. Sa i përket muzikës popullore dhe valleve tracionale të kësaj zone, vlen të përmendim grupin popullor të Isopolifonisë “Riza Cërova” i cili e përfaqëson denjësisht këtë qytet në shumë skena brenda dhe jashtë vendit.

Turizmi

Rafting në Kanionet e Osumit

Potencialet e jashtëzakonshme turistike që zona e Skraparit ofron, si kanionet e Osumit, mali i Tomorit, shpella e Pirogoshit etj, kanë qenë dhe mbeten gjithmonë atraktive për turistët dhe vet turizmin. Sapo shqipton emrin Skrapar nuk mund të mos përmendësh Kanionet e famshme të Osumit. Skrapari dhe Kanionet e Osumit identifikohen me emrin e njëri-tjetrit, në sajë të një sporti që prej më shumë se 10 vitesh është kthyer në një magnet që të tërheq turistë të shumtë.

Kanionet vertikale me forma të ndryshme, e me thellësi deri në 150 metra në zonën e Çorovodës dhe 8 ujëvara, e bëjnë të quhet ndryshe kjo zonë edhe si “Kolorado shqiptare”, ku turistë të huaj dhe vendas praktikojnë sportin e rafting. Turistët e huaj këto bukuri përrallore e të mahnitëshme i kanë cilësuar më të bukura e më të veçanta në Europë.

Mali i Tomorrit

Sporti i Rafting-ut i preferuar nga grupmosha të ndryshme, aktualisht është tepër popullor dhe sjell në zonat e Skraparit shumë turistë. Një tjetër atraksion turistik për këtë zonë mbetet dhe Parku Kombëtar i cili gjendet në afërsi të Malit të Tomorrit, i pasur me një vegjetacion dhe faunë të larmishme.

Zbulimi i territorit të Skraparit është gjithashtu edhe një udhëtim përmes shijeve dhe aromave tipike të kësaj zone, ku prodhimet e tokës së bashku me mishin, kryesisht ai i qengjit, formojnë bazën e kuzhinës tradicionale. Pjata tipike është mishi i pjekur, si edhe në një pjesë të mirë të Shqipërisë, por në këtë zonë specifikohet me mishin e qengjit të pjekur në furrë dhe hell. Specialitete të tjera janë, përshesh me pulë, tavë me perime, lakrori etj…Mjaft të përhapura janë edhe ëmbëlsirat, ndër më të njohurat bakllavaja e pandispanja.