Transmetuar më 16-03-2021, 21:37

Një numër i konsiderueshëm mësuesish dhe pedagogësh kanë refuzuar të marrin vaksinën Astrazeneca, bëjnë të ditur për Noa.al, burime nga Instituti i Shëndetit Publik.

Mësohet se janë disa dhjetëra arsimtarë, meshkuj dhe femra, kryesisht në moshë të re, të cilët këto ditë që po bëhen vaksinime masive në Tiranë dhe disa rrethe, kanë refuzuar të injektojnë këtë dozë të Astrazeneca.

Ndërkohë noa mëson se nuk janë vetëm mësues të cilëve u ka ardhur radha për vaksinim, që e refuzojnë. Në disa universitete kanë shkuar formularët për të regjistruar personat që duhet të vaksinohen, por shumë pedagogë e pedagoge nuk kanë pranuar të vënë emrat në lista.

Po ashtu, vaksinimin e kanë refuzuar edhe një numër qytetarësh që kanë deklaruar se refuzojnë ta bëjnë pasi e kanë kaluar Covidin.

Faktin e pohon edhe ministria e Shëndetësisë. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, ekspertja Mira Racakolli, tha sonte se është e vërtetë që në radhët e arsimtarëve po refuzojnë bërjen e vaksinës. Ajo madje tha se vaksina është refuzuar edhe nga ata që duhet të merrnin Pfizer-BioNTech.

"Po, ka mësues që nuk kanë pranuar të marrin këtë vaksinë. Kjo po ndodh për shkak të dyshimeve që janë krijuar. Lajmet që raportohen dhe situata e pezullimit të saj në disa vende. Por edhe vaksinën Pfizer e kanë refuzuar", pohoi zonja Racakolli.

Sakaq Komiteti Teknik i Vaksinimit i mbledhur sot në Tiranë, njoftoi se ka vendosur që të vazhdohet vaksinimi me Astrazeneca.

Ndër ata që kanë marrë vaksinën Astrazeneca, raportojnë se që disa orë pas marrjes së dozës së parë kanë pasur efekte anësore si dhimbje të krahut aty ku bëhet injeksioni, dhimbje trupi, dobësi trupore, etj.

Zyrtarisht nuk jepet asnjë informacion nëse në Shqipëri ka njerëz që kanë pasur shenja mpkiseje gjaku që çojnë në trombozë.

Një sondazh i kryer kohët e fundit në Shqipëri me 1200 pjesëmarrës të moshave të ndryshme, ka nxjerrë se të paktën 30 për qind e tyre kanë deklaruar se nuk duan ta bëjnë vaksinën kundër Covid-19.

Zyrtarisht thuhet se vaksina për Covid-19 nuk është e detyrueshme. Megjithatë shumë po flitet në BE për ndalim të lëvizjes jashtë shtetit duke paralajmëruar se do tu kërkohet dokumentim i marrjes së vaksinës. Në Shqipëri, autoritetet kanë hapur një seksion të posaçëm online që pajis personat e vaksinuar me pasaportë vaksinimi. /noa.al