Përfaqësues të lartë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Kryeministri, z. Zoran Zaev, Zëvendës Kryeministri për Çështjet Ekonomike dhe Koordinimin me Sektorët Ekonomikë, z. Fatmir Bytyqi, Ministri i Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, Ministri i Transportit dhe Rrugëve, z. Blagoj Bochvarski, si dhe Kryetari i Komunës Gazi Baba, vizituan dje East Gate Mall në Shkup.
Në këtë takim ata u pritën nga Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, Zëvendës Presidenti i Grupit BALFIN për Maqedoninë dhe Kosovën, Arsim Papraniku, dhe Drejtori Ekzekutiv i Skopje East Gate, Igor Davkov.
Ata i treguan Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të tjerë të Qeverisë rreth ecurisë së deri tanishme të punimeve, si dhe i informuan në lidhje me strukturën, madhësinë, qiramarrësit dhe aktivitetet që pritet të zhvillohen në të.
Kryeministri Zaev shprehu kënaqësinë e tij që është një ndër vizitorët e parë në East Gate Mall, në qendrën tregtare më moderne në Ballkan, që ka tërhequr emra të rëndësishëm markash nga e gjithë bota.
“Ne jemi krenarë që East Gate Mall do të sjellë marka të njohura në vendin tonë, 250 marka vendase dhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë krijim i vendeve të reja të punës, që përkojnë me përpjekjet tona për të krijuar kushte për vende pune më të mirë-paguara dhe tërheqjen e investimeve të reja." – deklaroi Kryeministri Zaev.
Presidenti i Grupit BALFIN tha para mediave se: “Qendra tregtare pritet të hapet në Tetor të këtij viti. Jam shumë i lumtur me ecurinë e deritanishme të punimeve. East Gate do të jetë një nga qendrat tregtare më moderne dhe më të mëdha në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ne jemi krenarë që jemi një ndër investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut". Ai siguroi se "ky nuk do të jetë investimi i fundit i Grupit BALFIN në Maqedoninë e Veriut.”
Drejtori Ekzekutiv i Skopje East Gate, Igor Davkov deklaroi: “East Gate Mall është një qendër tregtare e gjeneratës së re që po ndërtohet në një sipërfaqe totale prej 160,000m2 dhe e organizuar në 5 kate me sipërfaqe shërbimi 57,000m2 për rreth 250 dyqane të ndryshme. Investimi i përgjithshëm i Skopje East Gate është 350 milion euro, ndërkohë që vetëm investimi për qendrën tregtare East Gate Mall është 103 milionë euro".
East Gate Mall është konceptuar si një ritëm i ri urban i qytetit. Si qendra më e madhe e blerjeve, kulturës dhe argëtimit në rajon, East Gate Mall do të jetë vendi ku do të shijohet një përvojë ndryshe në blerje me më shumë se 250 marka e dyqane.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd