Transmetuar më 09-03-2021, 15:01

I pyetur për debatet brenda kryesisë së PS pas shpalljes së listave për deputet për zgjedhjet e 25 prillit, kryeministri Edi Rama ka thënë se ai nuk ka asgjë personale me asnjë individ që ka pasur pakënqësi.

I ndalur tek mungesa e Ditmir Bushatit në listë, ai tha se Bushati e ka pasur gjithmonë mbështetjen e tij dhe se lënia e tij jashtë listave nuk është personale: “Ditmir Bushati ka ardhur tek unë dhe më ka thënë dua të bëhem sekretar i OSBE-së, dua mbështetjen tënde dhe unë  i kam thënë po do ta kesh”, tha ai.

Rama thotë se e ka mbështetur maksimalisht ish-ministrin e Jashtëm. "Unë e kam mbështetur, përtej çdo debati që mund të kem. Një sekretar i OSBE-së nga Shqipëria, shqiptar do të ishte kryevepër. Po ashtu është e vërtetë që Bushati ka qenë minsitër i mirë, Sandër Lleshaj ka qenë ministër edhe më i mirë, por nuk është në listën e deputetëve sepse nuk ka pasur as kohën dhe as mundësinë që të bëjë më shumë se sa detyrën e tij si ministër”.

Duke shprehur fjalë pozitive për Bushatin, Rama tha se ai nuk ishte për "këtë ndeshje dhe për këtë skuadër. Gjithmonë e kam thënë: kush është lart, duhet të rrijë poshtë çdo ditë, nuk kam asgjë personale me Ditmirin. Punën e një lojtari, unë e mas me sa duar njerëzish ka takuar, sa fshatarë, sa biznese ka takuar, çfarë kanë nevojë ata, sa qytetarë ka takuar, çfarë rrjeti komunikimi ka krijuar. Bushati është një nga investimet më të mira politike të miat, që unë e ndiej akoma si njeriun tim. Debatet me të janë në një nivel koceptual. Bushati nuk ka sesi të jetë në skuadër pa dhënë kontribute dhe duke zbritur vetë nga treni. Ai ka qenë ministër se e bëri Partia Socialiste", – u shpreh Rama.

Kryesocialisti i ka qëndruar të njëjtës linjë edhe për Fatmir Xhafajn, duke theksuar se ky i fundit ka pranuar sfidën që i është besuar, ndërkohë që shton se është renditur i 23-ti në listën e Tiranës, sepse aq është objektivi.

"Fatmir Xhafaj nuk ka bërë naze, ka marrë vendin që i takon dhe do përallojë sfidën që ka. Lojtarët shihen në fushë dhe dhomat e zhveshjes. Skuadra ndërtohet për të fituar dhe maksimalizuar rezultatin me të gjithë lojtarët që ka. Nëse doni të dini dhe do të flisja unë për Fatmir Xhafën, çfarë do të mbetej për ju. Pse qenka ndryshe sot për disa nga ju sot? Kundërshtarët janë shumë të shqetësuar,sepse i ka dalë përballë një skuadër që as nuk e prisnin dhe as nuk dinë ta luftojnë. Është një skuadër me shumë fuqi të reja dhe me energji të jashtëzakonshme për këtë ndeshje, – vijoi Rama. – Ne kemi vënë të gjithë drejtuesit dhe të gjitha figurat që kanë marrë nga PS pafundësisht vlerësime, mbështetje, promovime, aty ku duhen në skuadër. Nuk kemi bërë ekspozitë. Nuk është fronti i betejës te emrat e parë në listë, por te objektivi".

Kujtojmë që ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati është lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është caktuar jashtë listës fituese për deputet në Tiranë. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd