Transmetuar më 06-03-2021, 15:07

Një pacient që ka qenë i i shtruar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, Andon Qako, bëri një deklaratë të fortë dhe lëshoi akuza të rëndë në media.

“Unë isha vet tek Shefqet Ndroqi. Kam dalë në datën 6-7 dhjetor, e te Shefqet Ndroqi unë vdisja për të ngrënë, s’kishte ushqim, ishte ushqim kërmë, nuk u ngopa një herë, se unë kisha fatin e keq i kam gjithë jashtë shtetit e s’kisha mundësi të blija, vdisje për të ngrënë ushqimi kërmë mizerabël, i them psikologes Irena, i thashë ca e keni këtë ushqim”, tha ndër të tjera Andon Qako, për News 24, duke shtuar se nga spitali ka dalë vetë me dëshirën e tij, në shenjë proteste, madje shtoi se “jam kërcënuar me jetë”.

Andon Qako ka deklaruar se në dhomën e tij janë mbytur dy persona, por të gjithë këto deklarata të tij mbeten për t’u verifikuar, pasi janë shumë të rënda.

“Në dhomën time ishin dy persona, që i vranë, i mbytën, i akuzoj unë, e them publikisht. Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, në polici nuk mi morën parasysh denoncimet. Unë isha 100 kile, më jepnin ushqimin e atyre që ishin në gjendje të rëndë”, i shprehet ish-pacienti i Sanatoriumit për gazetarin Erjon Skëndo.

“Më nxorën para kohe nga spitali, u kurova dhe një muaj më pas në shtëpi”, deklaroi më tej Qako.

Por mjekja e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, Silva Bala, ka reaguar menjëherë ndaj pretendimeve të të ish-pacientit të saj, duke hedhur poshtë akuzat. Ajo tha se do i drejtohet prokurorisë për të hetuar të vërtetën.

“Mua më vjen keq që me punën e personelit të luhet në këtë mënyrë, të sfumohet apo shkelet puna e personelit që është në detyrë 24 orë në 24. Nuk është e vërtetë që ushqimet e familjarëve nuk lejohen dhe u merret në sajë të vlerave monetare. Absolutisht jo! Aty ka 2 personel shëndetësor, që në orare të caktuara marrin ushqimet dhe veshmbathjet që i dërgojnë në dhomat përkatëse. Kjo është të luash edhe me jetën e të sëmurëve e familjarëve, një propagandë e tillë, nuk i shërben askujt, por më shumë pacientëve”, – tha Silva Bala.

“Ushqimi për të sëmurët bëhet me mjekë dietologë, sasia, yndyrnat, karbohidratet, kaloria përcaktohen nga dietologë dhe ushqimi është i duhur që duhet të marrin pacientët përmban lëndët e domosdoshme për këto pacientë. Edhe nëse pacientët kanë patur kërkesë për ushqim shtesë, nuk i kursehet askujt. Të sëmurët që nuk ushqehen dot, ngrihen nga personeli shëndetësor” u shpreh më tej Bala për News24.

“Nëse nuk gaboj, ka qenë i shtruar në një nga klinikat e mia, në pavionin e tretë A, i është shërbyer, ka marrë mjekimin dhe ka dalë vetë nga spitali. Nuk do kishte dalë nga ne nëse nuk do ishte shëruar, ka ikur vetë pa pritur asnjë njeri. Në spital ka psikologe, ka shkruar edhe te ky pacientë. Është një pacient që është trajtuar, ka dalë nga spitali me gjithë dokumentacionin e rregullt” -përfundoi mjekja, pas pretendimeve dhe akuzave të rënda nga pacienti./a.m/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd