Transmetuar më 06-03-2021, 13:37

Pas shqetësimit të shprehur nga një qytetar në media, se nuk kishte asnjë informacion apo kontakt me të motrën e shtruar në Spitalin Infektiv e sëmurë me Covid, ka ardhur edhe reagimi i gruas 40-vjeçare.

Në një kohë rekord, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar një video, ku pacientja shfaqet duke falënderuar doktoreshë Najada Çomon dhe stafin në Spitalin Covid-1 në Tiranë.

Një kthesë 360 gradë nga ana e pacientes, e cila i drejtohet në vetë të parë shefes së Infektivit dhe e falënderon për punën e pakursyer që ajo bën, ndërsa më herët, familjarët e saj u ankuan se nuk kishin asnjë informacion prej dy ditësh.

“Përshëndetje doktoreshë Najada, ti je mbretëresha e spitalit. Faleminderit shumë për çdo gjë që bën për të gjithë pacientët te Infektivi. Por kur u sëmura, kisha shumë frikë të vija këtu te Infektivi, nga fjalët negative të njerëzve. Isha e frikësuar. Unë jam fansja jote e parë, edhe jashtë ku jetoja në Amerikë dhe Greqi të ndiqja me pasion. Dukeni që jeni njeri shumë i mirë dhe vetëm nga që të njohja ty, vendosa të vija dhe thashë kam besim te ai njeri. Do ta shoh personalisht dhe çdo gjë ka mbaruar, do bëhem mirë. Të falënderoj shumë, qofsh mirë gjithmonë se po bën gjëra të mrekullueshme! Dua të them për stafin dhe infermieret, unë jam shumë e kënaqur. Nuk kam fjalë. Nuk e di përse kaq negativitet nga njerëzit që dalin jashtë dhe flasin ndryshe. Ti je shembulli i të gjithëve. Sa zemër të mirë keni! Na shihni nga ana njerëzore njëherë, pastaj si paciente”, shprehet ajo.

Më herët, vëllai i pacientes, ka rrëfyer për “News 24” se prej dy ditësh nuk dinte asgjë për motrën që është shtruar në spital, e cila është për më tepër me transplant në veshka.

Ai tregoi se e motra nuk u përgjigjet mesazheve të tij dhe nuk ka asnjë kontakt me të.

Ndër të tjera ai tha se motra jetonte në Greqi dhe erdhi në Shqipëri për ceremoninë mortore të nënës dhe ndonëse mbrohej me dy maska, u infektua me Covid-19.

“Sot s’kam kontaktuar fare. Tani i shkruaj mesazhe dhe nuk përgjigjet. Erdha për t’i dërguar disa gjëra. Shpresoj… Jo, jo absolutisht asnjë s’më ka telefonuar. E di se nga cili mjek ndiqet se më ka thënë motra, por nuk kam asnjë kontakt. Motra është në gjendje të keqe, është 40 vjeçe, është me transplant në veshka. Shpresoj të bëhet diçka. Atë uroj, nuk ka gjë tjetër", – deklaroi ai para se e motra të dilte në një video dhe të vlerësonte stafin e spitalit Covid 1. /e.a/noa.al/

Denoncim për Najada Çomon: I dhashë 1 milion lekë, babai më vdiq me Covid pas 14 orësh