

Të prekurit me COVID-19 kuadri ligjor aktual nuk u mundëson pjesëmarrjen në zgjedhje në pamundësi për të shkuar fizikisht në qendrën e votimit.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi thotë se nuk mund të bëhet asgjë sa kohë Parlamenti apo qeveria nuk kanë një vendim.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se të infektuarit nuk do të mund të votojnë dhe sipas tij kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera ku ka pasur zgjedhje gjatë pandemisë.
Kreu i qeverisë nuk i përmendi vendet të cilave i referohej, por në tre shtetet e rajonit që kanë pasur zgjedhje në kushtet e pandemisë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë, votimi për personat me COVID-19 është mundësuar, duke iu shkuar me kutinë e votimit në banesa apo në spitale.
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, më shumë se 35 mijë qytetarëve do t’u privohej e drejta e votës.
Dritan Taulla, vëzhgues zgjedhor, thotë se mohimi i të drejtës për të zgjedhur është shkelje e një të drejte thelbësore.
“Këtyre personave praktikisht shteti shqiptar po u pamundëson të drejtën për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet nëpërmjet ushtrimit të së drejtës për të zgjedhur dhe kjo është një çështje që nuk mund të kalohet kaq lehtë”, tha ai për “Euronews Albania”.
Taulla deklaron se nevojitet vetëm një ndërhyrje ligjore për të zgjidhur këtë problem dhe se institucionet janë ende në kohë për ta bërë këtë gjë.
“Kuvendi i Shqipërisë mund të marrë një vendim urgjent. Koha është e mjaftueshme, por mund të ngrihet pikëpyetja që po preket ligji zgjedhor shumë pranë zgjedhjeve por bëhet fjalë për pandemi. Këto janë vota të qytetarëve që nuk do të mund të shprehen”, u shpreh Dritan Taulla.
/a.m/NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





