Transmetuar më 04-03-2021, 08:05

Komandanti i Gardës Kombëtare në Uashington, i tha Kongresit të mërkurën se u deshën më shumë se tre orë për të marrë miratimin për të dislokuar trupat në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara me 6 janar, për t’u përballur me protestuesit të cilët po sulmonin ndërtesën në përpjekje për të bllokuar çertifikimin e demokratit Joe Biden si president i ri i vendit.

Gjenerali William Walker, shef i Gardës Kombëtare për Uashingtonin, u tha dy komisioneve të Senatit që po hetojnë trazirat vdekjeprurëse, se ai nuk mori miratimin e Departamentit të Mbrojtjes deri në orën 17:00 për të dërguar qindra trupa në Kapitol, më shumë se tre orë pasi drejtuesi i atëhershëm i Policisë së Kapitolit, Steven Sund, i kishte thënë i alarmuar se një turmë njerëzish kishin hyrë me forcë në ndërtesë.

Walker tha se vonesa duket të jetë rezultat i një procesi të pavolitshëm miratimi për trupat dhe ndoshta një hezitim nga disa zyrtarë për të miratuar një shfaqje publike të forcës pranë simbolit të demokracisë amerikane.

Ndërkohë, protestuesit e shumtë në numër, ishin të papërballueshëm për forcat e sigurisë dhe u futën në selinë e organit legjislativ, duke shkatërruar zyrat e ligjvënësve dhe u përleshur me policinë, ku 5 njerëz humbën jetën.

Gjenerali Walker tha se në rastet e mëparshme të trazirave civile, gjatë 19 viteve të tij në komandën e trupave të Gardës Kombëtare në Ushington, përfshi demonstratat për drejtësinë racore pranverën e shkuar, leja ishte miratuar menjëherë për të dislokuar trupa për të shuar trazirat.

Ai tha se mund të kishte dërguar 155 trupa në orën 14:00, menjëherë pasi protestuesit e parë sulmuan Kapitolin, ku mes të viktimave ishte edhe një polic i selisë, për të cilin autoritetet besojnë se humbi jetën pas spërkatjes me ilaç kundër protestuesve.

Këto 155 trupa, “mund të kishin bërë një ndryshim”, tha Walker gjatë një seance dëgjimore të mbajtur së bashku nga Komisioni i Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Komisioni për Rregullat. “Ne mund ta kishin shtyrë mbrapsht turmën”.

Edhe pasi Departamenti i Mbrojtjes miratoi në orën 16:32 dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare, u deshën edhe 36 minuta të tjera para se zoti Walker mori njoftimin se mund të dislokonte trupat e tij që po prisnin në gjendje gatishmërie.

“Isha i zhgënjyer…i shtangur” nga vonesa, dëshmoi Walker. “Unë do t’i kisha dërguar menjëherë”, – shkruan Voa.

Senatori republikan, Rob Portman tha: “Kjo nuk mund të ndodhë përsëri”, një frazë me të cilën u pajtua edhe Gjenerali Walker.

Pas vendosjes së rendit në Kapitol, në orët e para të 7 janarit, ligjvënësit çertifikuan rezultatet e Kolegjit Elektoral dhe fitoren e zotit Biden. Ai u betua si presidenti i 46-të i vendit me 20 janar. /e.a/noa.al/