Transmetuar më 03-03-2021, 22:16

Sokol Çikalleshi vazhdon të tregojë një formë shumë të mirë në këtë moment të sezonit në Superligën turke, duke shënuar me vazhdimësi me ekipin e Koniaspor. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka tundur rrjetën edhe sot në kampionat, duke i shënuar kampionëve në fuqi të Bashakshehir.

Koniaspori aktualisht gjendet në mesin e tabelës së klasifikimit dhe po përpiqet që të qëndrojë sa më larg luftës për mbijetesë në këtë edicion. Çikalleshi me golat e tij po arrin ta afrojë me këtë objektiv, siç ndodhi sot.   Në minutën e 79 të takimit, pas një harkimi të Bytyqit nga e majta, Çikalleshi me kokë në shtyllën e dytë arriti të dërgonte topin në rtrjetë me një zhytje, duke mos i lënë mundësinë portierit kundërshtar që të reagonte, për t’i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Për fatin e keq të sulmuesit shqiptar, goli nuk shërbeu për tre pikët, pasi pak minuta më vonë Ba shënoi golin e barazimit përfundimtar 1-1 që i dha nga një pikë secilës prej skuadrave.