Transmetuar më 03-03-2021, 10:07

Në raportin më të fundit në lidhje me luftën kundër pastrimit të parave për vitin 2020, Departamenti Amerikan i Shtetit ka fshikulluar Shqipërinë, duke theksuar nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm në këtë fushë.

Sipas raportit, thuhet se Shqipëria ngelet e ndjeshme përsa i përket pastrimit të parave për  shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.

Ndër të tjera, theksohet se krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri, përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën.

Sipas DASH organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut.

Ndërkaq, theksohet se Shqipëria regjistroi disa përparime me përdorimin e ligjit të saj të konfiskimit antimafia, duke përfshirë konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkisnin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Escobar i Ballkanit”.

“Vendi ka një ekonomi të madhe parash dhe sektor informal, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e remitancave dhe investimeve të ndryshme. Krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut” thuhet në raport.

“Reformat e vazhdueshme gjyqësore, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimin e njësive të shumta policore të specializuara që synojnë krimet financiare dhe ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave. Sidoqoftë, këto përpjekje vështirësohen nga sfidat e kapacitetit në institucionet e drejtësisë të krijuara së fundmi dhe korrupsioni i përhapur që minon shtetin e ligjit” thekson më tej raporti. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd