Transmetuar më 02-03-2021, 15:50

Shkurti ishte muaji më i keq përsa i përket infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e Covid-19, në vendin tonë.

Gjatë këtij muaji zyrtarisht raportohen 416 jetë të humbura.

Edhe fillimi i marsit shënoi shifra të larta të fataliteteve.

Pëllumb Pipero, mjeku I spitalit Covid1,  tregon disa nga arsyet e rritjes së vdekjeve në këtë periudhë, ku shkaku kryesor është vajtja me vonesë në spital.

“Vijnë me ndërlikime të sëmundjesh, pas 7-8 ditësh, ndonjëherë edhe pas 14 ditësh që kanë ndenjur në shtëpi”, thotë Piero. “Ka një lloj skepticizmi për të ardhur në spitale, ndërkohë që spitali nuk është zgjedhje, por për shumë është zgjidhje”.

Por me ngrohjen e motit si dhe frekuentimin e ambienteve të hapura, mjeku Pipero thotë se situata pritet të ndryshojë në mes të marsit. “Deri nga gjysma e marsit numri do të jetë në këto nivele, edhe më i lartë, besoj unë”, – thotë mjeku.

I pyetur nëse  duhen ashpërsuar masat antiCovid, Pipero ka vendosur të presë vlerësimin e komitetit teknik.

“Përpara se të shkojmë të shtrëngimi i masave, të respektojmë masat. Doemos të vendosim maskën kur hipin në transportin publik, edhe në shkolla të respektohen masat e higjienës”. Ndërkohë  virusi  sipas infeksionistit është bërë më agresiv dhe këtë Pipero e lidh me  shenjat që po shfaqin shumë prej personave të infektuar.

I pyetur po sot nga Abc, Pipero konfirmoi se gjatë ditëve të fundit situata në spitale nuk paraqitet optimiste. “Po konstatojmë raste me tre katër ditë klinikë dhe prekje shumë të gjerë të mushkërive. Kjo prekje ka avancuar në mënyrë të heshtur dhe më pak klinikë”.

Mjeku i spitalit Covid 1, tha se nga prilli beson se “rënia do të jetë më e qëndrueshme për shkak se me rritjen e temperaturave, ajrosen më shumë edhe lokalet”.

Ndërsa rastet e të prekurve po njohin rritje infeksionisit i bën thirrje qytetarëve të shmangin vendet me shumë njerëz e të përdorin maskë. Aktualisht në Shqipëri janë të prekur nga Covid 19 mbi 35 mijë persona ndërsa më shumë se 1800 kanë humbur jetën prej tij.

Në këtë periudhë, spitalet Covid janë të mbingarkuar për shkak të fluksit të lartë të shtrimeve.

Mjeku i njohur i spitalit Infektiv tregon se nga të shtruarit nuk mungojnë as pacientët në moshë të re, mbi 23 vjeç, të cilët kalojnë forma të renda për shkak të ngarkesës së lartë të virusit. /a.m/NOA.al