Transmetuar më 02-03-2021, 09:32

Moderatorja e njohur dhe e dashur për publikun, Rudina Mgjistari, ka arritur ta fitojë betejën me Covid 19 dhe ditën e djeshme i është rikthyer punës në studio.

Edhe pse për pak ditë ka drejtuar emisionin e saj e izoluar në shtëpi, Rudina pohon se jo gjithçka ishte e lehtë për të dhe familjen e saj.

Ajo tregon se edhe bashkëshorti i saj u infektua në të njëjtën kohë, por fatmirësisht nuk kanë qenë në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Pata unë radhën për ta kaluar Covid-19. Për fat kaloi mirë. Ka qenë një histori jo dhe aq e lehtë sa duket në pamje të parë, por që unë nga eksperienca ime kam kuptuar diçka dhe dua ta ndaj me ju. Unë dhe bashkëshorti u infektuam të dy njëkohësisht me Covid dhe patëm fatin e madh që të mos vuanim shumë gjatë kësaj kohe, ama mjekimet i kemi marrë të gjitha, – tregon Magjistari në disa video të publikuara në Instastory. – Që nga shenja e parë që ne dalluam tek vetja jonë, një nga mesazhet që unë dua të jap sot, përveç reflektimit të madh që vjen që shëndeti është i pari, ne gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm. Flitet gjithë kohës, mbani maskën, ruhuni, ruani distancën. Asnjëherë nuk duhen harruar këto, janë fjalë të vërteta dhe Covid-i është real, pas dere dhe shumë i rrezikshëm".

Sipas përvojës që kaloi, Rudina thotë se asnjë shenjë nuk duhet neglizhuar, "nëse ndjeni dhe shenjën më të lehtë në trupin tuaj që diçka nuk po shkon, ka shumë gjasa të jetë Covid, kështu që filloni masat t’i merrni menjëherë".

Moderatorja këshillon se "sa më shpejt të trajtoheni, të kuroheni, aq më e lehtë do jetë beteja me Covi-19. Dhe unë besoj se kjo është një nga arsyet që ne e kaluam pa shumë vështirësi të mëdha fizike, por ndërkohë trajtimet kanë qenë të forta, intensive, të gjitha një më një” , – shtoi ajo. /e.a/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd