Transmetuar më 01-03-2021, 08:16

Koronavirusi dhe efektet e tij të dëmshme në jetën dhe trupin e njeriut, vazhdojnë të jenë një kërcënim për të gjithë.

Me qarkullimin e mutacioneve të reja të zbuluara në disa vende të botës, Covid 19 është shndërruar në një virus të paparashikueshëm dhe tinëzar.

Së fundmi, shkencëtarët kanë zbuluar se viruset e ngjashëm me llojin që shkakton sëmundjen COVID-19, mund të mbijetojnë deri në tre ditë në rrobat që veshim zakonisht.

Një studim nga Universiteti i de-Montfort në Leicester, Britani e Madhe, testoi koronavirusin në disa pëlhura të ndryshme.

Sipas BBC, rezultatet treguan se pëlhura prej poliestre, paraqet rrezikun më të madh, pasi virusi u gjet aty edhe pas 72 orësh.

Mikrobiologët thanë se kjo tregon se edhe rrobat e mjekëve që punojnë me të prekurit nga Covid, janë të rrezikshme.

Në materiale 100% pambuk, virusi zgjati për 24 orë, ndërsa në pëlhurat ku kishte përzierje pambuku dhe poliesteri, virusi mbijetoi vetëm për 6 orë.

Studimi shqyrtoi edhe metodën më të besueshme të larjes së rrobave për heqjen e virusit nga pëlhurat.

Tek ajo me 100% pambuk, virusi u eliminua plotësisht vetëm kur u përdor detergjent dhe temperatura e larjes u rrit mbi 67 gradë.

Studimi tregoi se nuk kishte rrezik të infektimit, pasi rrobat laheshin me detergjentë.

"Kur filloi pandemia për herë të parë, kishte shumë pak kuptim se sa kohë koronavirusi mund të mbijetonte në rroba", tha Dr Katie Laird, e cila është kreu i grupit të universitetit të studimit të sëmundjeve infektive në DMU.

"Gjetjet tona tregojnë se tre prej rrobave më të përdorura në kujdesin shëndetësor, paraqesin rrezik për transmetimin e virusit. Nëse infermierët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor marrin uniformat e tyre në shtëpi, ata mund të lënë gjurmë të virusit në sipërfaqe të tjera".

Studimi zbuloi se nuk kishte rrezik të ndotjes së kryqëzuar, kur teshat e pastra laheshin me ato që kishin gjurmë të virusit.

Sidoqoftë, Dr. Laird tha, se udhëzimi i botuar në fillim të pandemisë nga Public Health England (PHE) dhe NHS lidhur me larjen e uniformave, bazohej në "literaturë të vjetëruar".

Udhëzimet e PHE thanë se atje ku nuk ishte e mundur që uniformat të pastroheshin në mënyrë industriale, stafi duhet t’i lante ato në shtëpi, por Dr.Laird ishte kundër kësaj taktike.

"Ky hulumtim ka përforcuar rekomandimin tim që të gjitha uniformat e kujdesit shëndetësor duhet të lahen në spitale ose në një lavanderi industriale, – tha ajo. – Këto metoda të larjes, janë të rregulluara dhe infermierët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, nuk duhet të shqetësohen për marrjen e mundshme të virusit në shtëpi". /e.a/noa.al/