Transmetuar më 28-02-2021, 12:05

Autoriteti Shëndetësor në Zvicër, që vendos për lejimin dhe përdorimin e ilaçeve në këtë vend, ka deklaruar se të dhënat për vaksinën AstraZeneca nuk janë të mjaftueshme për t’i ndezur "dritën jeshile".

Sipas Ansa, ky autoritet ka kërkuar "studime të reja" para se të vendosë për lejimin e vaksinës AstraZeneca.

"Të dhënat qëkemi aktualisht në dispozicion nuk na lejojnë të marrim një vendim mbi përfitimet dhe rreziqet e vaksinës AstraZeneca," tha Swissmedic në një deklaratë.

Ndryshe nga Zvicra, sot kryeministri Edi Rama tha me optimizëm se, “brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve.”

"Nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve”, ishte mesazhi i kryeministrit Edi Rama.

/a.m/NOA.al