Transmetuar më 27-02-2021, 15:04

Gjatë një takimi me mjekë e infermierë të spitalit Covid 3, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u bërë një front përballë COVID 19.

Ajo tha se situata është delikate dhe u bëri apel qytetarëve për zbatimin e rregullave anti-COVID, për këputjen e zinxhirit të infeksionit.

"Jemi në një situatë delikate dhe gjithë angazhimi i personelit shëndetësor është i drejtuar në dhënien e shërbimeve këtyre pacientëve. Janë më shumë se 600 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet tona, qoftë në spitalin Infektiv, në spitalin "Shefqet Ndroqi", në COVID 3, COVID 4 dhe spitalet rajonale që tashmë janë të hapura. Por ēshtë momenti për një thirrje për njerëzit: sa më shumë të kujdesshëm, aq më pak raste në spitale, aq më pak fatalitete”, nënvizoi Manasirliu.

Ministrja u shpreh gjatë takimit se, me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave, procesi do të intensifikohet.

“Pritet që të vijë ngarkesa e radhës së ‘Pfizer’ ditën e hënë, rreth 15 mijë vaksina vijnë për të intensifikuar vaksinimin. Pritet gjithashtu që brenda 10 ditëshit të parë të marsit të vijnë edhe 14,400 vaksina të ‘AstraZeneca’, nëpërmjet instrumentit COVAX, dhe do të kemi besoj lajme të mira për sasi të tjera vaksinash", tha Manastirliu.

Duke folur për vaksinimin, Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID janë vaksinuar me të dy dozat dhe po vijon me intensitet vaksinimi i stafeve mjekësore, duke u shtrirë nga sot edhe në Korçë. /e.a/noa.al/