Transmetuar më 27-02-2021, 12:00

Ashtu siç ishte parashikuar, fushata e vaksinimit në vend do të vijojë me mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të luftës anti-Covid dhe më pas do të procedohet me grupet e tjera të popullsisë.

Gjatë procesit të vaksinimit të bluzave të bardha në Korçë, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se ditën e sotme pritet të administrohen 500 doza.

“Sot fillon vaksinimi për Korçën dhe do të hapet një pikë vaksinimi për të gjithë prefekturën. Do të vaksinohen ato që përfshihen në këtë prefekturë. Fillimisht do të nisë me bluzat e bardha për të vijuar me moshat e treta dhe persona me sëmundje bashkëshoqëruese dhe për të vijuar më të tej për të gjithë popullatën deri në  moshat 18-vjeç", – tha ajo.

Bino pohoi se vaksina ka për të gjithë personelin shëndetësor për t’u vaksinuar me të dyja dozat. Ajo theksoi se vaksina e aplikuar në Korçë është e kompanisë ‘Pfizer’. "Deri tani nuk kemi pasur asnjë efekt anësor të dëmshëm", – shtoi.

Më pas, ekspertja e shëndetësisë, shpjegoi se vaksinimi masiv në popullatë do të fillojë pasi të ketë përfunduar procesi i vaksinimit i të gjitha bluzave të bardha në vend.

“Pasi të vaksinohen të gjitha stafet dhe grupet në risk, do të fillojë vaksinimi masiv sipas llojeve të vaksinave. ‘Pfizer’-i e ka deri tani nga 18-vjeç e lart. Ne po përpiqemi të kemi skenarin maksimal që është 14 muaj për vaksinimin e popullatës”, u shpreh Bino.

Në lidhje me masat e reja të mundshme kufizuese për shkak të situatës, Bino tha se kjo do të vendoset në varësi të situatës. "Shtrëngimi i masave do të jetë në varësi të situatës dhe vendoset nga Komiteti Teknik.  E rëndësishme është që filloi procesi i vaksinimit. Por qytetarët duhet të respektojnë masat”.

Sipas saj, një person që vaksinohet për herë të dytë, të paktën duhet të ketë kaluar 5 javë nga marrja e dozës së parë, që të quhet plotësisht i mbrojtur dhe gjatë gjithë kësaj kohe njerëzit duhet që të mbajnë maskat. /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Lëvizje e papritur, Komiteti Teknik mblidhet sërish për të rivlerësuar kufizimet