Transmetuar më 26-02-2021, 20:16

Mjeku Ilir Alimehmeti hodhi idenë që sipas tij do mund të kufizonte përhapjen e COVID, në kohën kur në vend kemi transmetim komunitar.

Ndryshe nga shefi i Urgjencës Skëndër Brataj i cili tha se kur ka transmetim komunitar gjurmimi është i pamundur, Alimehmeti solli në vëmendje shembullin e Sllovakisë.

Ai deklaroi se në këtë rast për të zbritur përqindjen e pozitivitetit në vend, duhet që për çdo numër të infektuarish, të testojmë një shifër personash të dyshuar si pozitivë me një zero mbrapa, pra për 900 persona pozitivë, duhet që një ditë më pas të kryejmë 9000 testime.

Alimehmeti thotë se është herët për të folur për një ulje të rasteve të reja me COVID, për shkak se kjo dukuri është parë vetëm në katër ditët e fundit.

Në studion e ABC ku ishte i ftuar, Alimehmeti u shpreh se ajo që duhet parë është edhe numri i tamponëve në raport me testet e shpejta duke nënvizuar faktin se këto të fundit shërbejnë për survejancë për jo për diagnozë.

“Kur kemi transmetim komunitar është momenti kur duhet të jemi shumë aktiv. Një shembull: Me të njëjtat teste të shpejte që ne kemi Sllovakia testoi 2/3 të popullsisë dhe rastet e reja ranë me 82%. I gjeti rastet dhe rastet izolohen. Survejanca pasive do të thotë kur unë kam klinikë I kërkoj mjekut të më testojë. Ata që nuk kanë klinikë nuk testohen”, tha ai.

“Është shumë e vështirë të gjurmosh. Por duhet testim masiv. Italia përmes survejancës pasive gjen vetëm 34% të rasteve. Ka shumë raste që nuk e dimë që janë pozitivë por mund të jenë transmetues. Ne këta duhet të kapim. Ne e kemi sot 24.8%. Për të zbritur poshtë 10%, shifrat e rasteve të reja të sotme duhet të kenë një zero nga mbrapa. Pra nesër duhet të testojmë minimalisht mbi 9000 persona”, shtoi Alimehmeti.

Po ashtu, Alimehmeti deklaroi se Fieri ishte qyteti që kishte pozitivitetin më të lartë javën e kaluar dhe në rast se do aplikohej testimi masiv me testet e shpejta, të gjitha ato do i kryente pikërisht në këtë qytet. Përkthyer në shifra, ai theksoi se për rreth 9000 teste në Fier, të paktën gjysma e tyre do të dilnin pozitivë.

“Javën e kaluar Tirana kishte një pozitivitet testit rreth 15%, Fieri e kishte 65.7%. Në Fier për çdo tre testime, dy na dalin pozitive. Nëse do testonim 9160 teste nesër do i bënim në Fier, atje kemi problemin më të madh. Të paktën gjysma do dilnin pozitivë. Ky është çelësi. Që persona pozitivë të izolohen. Çelësi ka qenë gjithmonë ky. Kështu ndërpritet zinxhiri I transmetimit. Ne vazhdojmë këmbëngulin te survejanca pasive”, u shpreh ai.

“Ajo që është e rëndësishme se një pjesë e shifrave janë spitalore. Duket sikur spitalet janë plot. Kemi më shumë vdekje sot se kishim raste të reja në prill dhe maj. Ky është një fakt. Fakti tjetër është se nga pikëpamja e rasteve të reja, nga testet, u rrit shumë deri më 1 Shkurt, duke arritur një shifër 29 %. Ka 4 ditë, por është pak dhe mund të jetë diçka sporadike që ka një ulje. Nga ana tjetër duhet parë ku janë bërë testet”.

“Ajo që nuk fshihet dot janë rastet spitalore. Deri para pak javësh kishim vetëm 4 spitalet COVID. Durrësi u zu Brenda ditës, kishte të shtruar përpara. Kemi një fryrje nga zyrtarizimi i disa numrave dhe shtrime të reja. Rritja eksponenciale do të ketë vdekshmëri. Ato ditët më të këqija që ishin në fund të janarit po kthehen tani. Nuk logjikohet që kjo ka lidhje me situatën e rreth dy javëve më parë nga pikëpamja e infektimeve”, tha ndër të tjera Ilir Alimehmeti.

Ai theksoi se sot kemi 72% vatra familjare, kjo për shkak se një person i infektuar nuk identifikohet dot në kohë dhe për çdo ditë vonesë nga përgjigja e testit rritet edhe mundësia për të infektuar persona të tjerë në familje.  Alimehmeti solli në vëmendje rastin e Italisë për liberalizimin e tregut farmaceutik në mënyrë që çdo person që ka dyshime të blejë një test të shpejtë në farmaci për t’u izoluar në kohë.

Mjafton të shohim sa për qind e testeve bëhen në privat. Bëhet tamponi që kushton edhe më shtrenjtë dhe duhet të shkosh fizikisht atje”, theksoi mjeku, i cili dha edhe shembuj.  “Ontario thotë për çdo ditë vonesë testimi rritet mundësia që të kesh një person pozitiv në familje. Ne sot kemi 72% vatra familjare. Duhet të saktësohet sa teste të shpejta dhe sa tampone bëhen në ditë. Nëse ne bëjmë 100 teste të shpejta tek 100 persona të sigurt pozitivë kapim vetëm 60% pozitiv”, tha Alimehmeti.

“Testet e shpejta janë të lira, mund t’i bësh ku të duash, japin shpejt një përgjigje. Mund të liberalizohet tregu farmaceutik si në Itali ku mund ta blesh vetë një test. Rëndësi ka që nëse je pozitiv të izolohesh dhe të ruash familjen dhe miqtë. Nëse unë i kërkoj një test mjekut të familjes ka gjasa të thotë jo sepse e vendos ai, por nëse do ishte në farmaci çdokush që ka dyshime mund ta blejë testin dhe ta kryejë vetë” – u shpreh ndër të tjera Ilir Alimehmeti./a.m/NOA.al