
Mësuesit luajnë një rol kryesor në transmetimin e koronavirusit SARS-CoV-2 në shkolla, më shumë sesa vetë nxënësit.
Kjo demonstrohet nga një studim i ri i koordinuar nga shkencëtarë nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), të cilët bashkëpunuan ngushtë me kolegët nga Cobb dhe Douglas Public Health (CDPH) dhe Departamenti i Shëndetit Publik në Xhorxhia (GDPH), SHBA.
Studiuesit, të koordinuar nga Dr. Jeremy AW Gold dhe të mbledhur nën grupin e studimit "Georgia K-12 School COVID-19 Investigation Team", arritën në përfundimet e tyre, pasi analizuan lidhjet epidemiologjike të disa vatrave, të cilat shpërthyen në gjashtë shkolla fillore nga tetë të tilla, në një rreth shkollor në Cobb County, Xhorxhia.
Dr. Gold dhe kolegët e tij, zhvilluan një hetim në lidhje me infeksionet, që ndodhën midis 1 dhjetorit 2020 dhe 22 janarit 2021, në një periudhë të shkurtër kohore, gjatë së cilës rreth 2,600 nxënës (rreth 80% e totalit të rrethit) dhe 700 punonjës, kanë frekuentuar shkollat fillore. Gjatë këtyre shtatë javëve, ‘Cobb County’, pa një rritje prej 300 përqind të rasteve pozitive, nga 152 në 577.
Shkencëtarët identifikuan nëntë grupe-shpërthimi që kishin të paktën tre raste pozitive të lidhura. Në tërësi, ishin përfshirë 13 mësues dhe 32 nxënës.
Rreth shtatëdhjetë anëtarë të familjeve të pozitivëve, iu nënshtruan shtupave oral-nazofaringeale, si "kontakte të ngushta" dhe 18 (26 përqind) rezultuan pozitivë.
Duke analizuar lidhjet epidemiologjike, shkencëtarët vendosën, që të paktën dy nga nëntë shpërthime, do të kishin dalë direkt nga kontaktet midis mësuesve, të kontraktuar gjatë pushimeve të drekës, takimeve personale ose në raste të tjera të jetës së përditshme shkollore.
Nga këto dy raste, transmetimi do t’u kalonte nxënësve, gjë që do të sillte gjysmën e infeksioneve të zbuluara në shkolla. Disa grupe të tjera, e kanë pasur origjinën nga transmetimi mësues-nxënës, ndërsa vetëm në një rast, një nxënës përfaqësonte të parin e zinxhirit infektues.
"Mësuesit ishin thelbësorë për rrjetet e transmetimit në shkolla", nënvizuan autorët e studimit në punimin "Grumbuj të infeksionit SARS-CoV-2 midis arsimtarëve dhe nxënësve të shkollës fillore në një rreth shkollor – Gerogia, dhjetor 2020 – janar 2021", publikuar në portalin CDCl.
Hetimi zbuloi, se mosrespektimi i hapësirës fizike dhe përdorimi i pasaktë i maskave, përfaqësonte mjetin kryesor të transmetimit.
Pushimet e drekës në hapësira të ngushta, janë veçanërisht të rrezikuara, ku, sigurisht, asnjë pajisje mbrojtëse personale nuk është e pështatshme për të ngrënë.
Për të minimizuar rrezikun e mësimdhënies ballë për ballë, Gold dhe kolegët e tij shpjegojnë, se është e nevojshme të minimizohen ndërveprimet midis të rriturve, si brenda dhe jashtë shkollave, si dhe të promovohet përdorimi i saktë i maskave dhe të organizohen më mirë hapësirat në institucione, për të ruajtur distancën fizike midis atyre që i ndjekin ato.
Meqenëse mësuesit janë një kategori veçanërisht ngjitëse, CDC gjithashtu thekson rëndësinë e prioritetit të tyre në fushatën e vaksinimit.
Disa studime të kryera në vende të tjera, të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, kanë ardhur në të njëjtin përfundim si analiza e CDC, duke identifikuar arsimtarët, si "motorin" kryesor të përhapjes së virusit në shkolla.
Studimi i fundit suedez, "Efektet e mbylljes së shkollës në SARS-CoV-2 midis prindërve dhe mësuesve", tregoi se mbajtja e shkollave të hapura, dyfishon shkallën e infeksionit midis mësuesve, si dhe rritjen e probabilitetit të infektimit midis mësuesve, përveç se ka shtuar me 30% mundësinë e infektimit mes bashkëshortëve dhe bashkëjetuesve të tyre.
Por mbyllja e shkollave, ka një ndikim jashtëzakonisht negativ në edukimin, rritjen dhe mirëqenien psiko-fizike të fëmijëve, aq më tepër pas një viti pandemie, prandaj është thelbësore të gjendet një zgjidhje që i mbron ata, ndërsa garanton shëndetin e atyre, të cilët punojnë në shkolla dhe në të gjithë komunitetin. /e.a/noa.al/
Burimi dhe foto: "Fanpage"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





