
Fiqiri Karaj humbi jetën sot në galerinë e minierës së Bulqizës ku punonte pasi një sasi e madhe gurësh e zuri poshtë. Ndërkaq thuhet se pas ngjarjes tragjike kanë nisur hetimet.
Ai doli mëngjesin e sotëm nga banesa e tij, ku la bashkëshorten dhe katër fëmijët, për të hyrë në galerinë e minierës së Bulqizës, nga e cila nuk do të dilte më i gjallë.
Në të njëjtën ditë në Tiranë, kandidati i pavarur, i dalë nga radhët e minatorëve, Elton Debreshi dorëzoi në KQZ listën me firma, që do t’i mundësojnë garimin në 25 Prill. Për kandidimin e Debreshit kishte hedhur firmën edhe Fiqiriu. Kjo për arsyen se minatorët duket se kanë mbetur të zhgënjyer nga kalsa politike dhe kanë nisur të organizohen për t’u përfaqësuar nga shoqërua civile.
Postimi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës:
Dita e sotme do të duhej të ishte një ditë historike për minatorët, Bulqizën dhe të gjithë komunitetin e Dibrës. Sot, pas një angazhimi disajavor, dorëzuam në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 1350 nënshkrime për regjistrimin e Elton Debreshit si kandidat i pavarur për deputet.
Me keqardhje dhe dhimbje të thellë, gjatë dorëzimit të dokumentacionit, u informuam për vdekjen e minatorit Fiqiri Karaj, shokut dhe vëllait tonë, në minierat e Zonës D në Bulqizë.
Fiqiriu ishte 49 vjeç dhe baba i 4 fëmijëve. Ai ka qenë mbështetës dhe nënshkrues i peticionit për Statusin e Minatorit, si dhe për kandidaturën e pavarur të mbështetur nga sindikata. Kjo vdekje e radhës në galeritë e zeza të minierave është pasojë e kushteve të vështira që përballen minatorët çdo ditë.
Përballja e përditshme me vdekjen na tregon për nevojën urgjente të miratimit të Statusit të Minatorit. Kjo na bën të jemi gjithnjë e më të vendosur për të çuar përpara nismën tonë !
Shprehim ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe të afërmit e Fiqiriut!
U kërkojmë institucioneve dhe autoriteteve përkatëse të zbardhin ngjarjen. Për Fiqiriun dhe çdo minator tjetër duhet drejtësi!/a.m/NOA.al
Në foto, marrë nga google: Minatori që humbi jetën Fiqiri Karaj (djathtas) dhe Elton Debreshi kandidat i pavarur për deputet (majtas)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





