Transmetuar më 23-02-2021, 14:50

Prej javësh të tëra, Shqipëria po përballet me situatën më të vështirë nga pandemia që prej fillimit të saj marsin e shkuar.

Koronavirusi dhe mutacionet e tij ende të pakonfirmuara kanë kaluar në trasmetim komunitar.

Mbi 1 mijë persona konfirmohen të infektuar në ditë, me dhjetëra të prekur të tjerë që nuk hyjnë në sistemin publik, po rriten vdekjet, ndërsa kapacitetet e 6 spitaleve Covid po shkojnë drejt ezaurimit.

Ekspertja dhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini jep alarmin për situatën e rënduar në vend nga numri i lartë i infektimeve ditore.

“Kemi një transmetim komunitar. Një transmetim me incidencë të lartë të rasteve të konfirmuara, reflektuar jo vetëm me pozitivitetin, por dhe rastet që kanë kërkuar shtrim spitalor”, shprehet ënatërja e Komitetit Teknik të Ekspertëve për ‘A2cnn’.

Karantina e plotë, do të jetë guri i fundit i qeverisë, e cila si duket nuk ka në plan ta zbatojë para zgjedhjeve. Ndaj Tomini uljen e rasteve, e kërkon përmes ndërgjegjësimit të popullatës.

“Karantina do jetë guri i fundit përkundrejt shtrëngimit të masave. Duhet të jemi të përgjegjshëm për zbatimin e masave”, shton ajo.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, tregon se 16 raste në vend janë konfirmuar të riinfektuar nga koronavirusi.

Në 25 shkurt, përfundon afati i masave të vendosura nga komiteti i ekspertëve. Ditën e mërkurë, pritet mbledhja dhe vendimet e radhës.

Burime nga komiteti, bëjnë të ditura se nuk priten masa shtesë dhe as ashpërsimi i mëtejshëm i kufizimeve anti-Covid në vend. /e.a/noa..al/