Transmetuar më 23-02-2021, 14:35

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, ka publikuar një studim që hedh dritë mbi atë se çfarë ndodh te personat e vaksinuar që e kanë kaluar koronavirusin.

Mjeku shkruan në Facebook se “kërkuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Mount Sinai, Neë York (SHBA) përmes një studimi të botuar preprint më 1 Shkurt 2021, studiuan pikërisht diferencat e përgjigjes së vaksinës ndërmjet atyre që e kanë kaluar dhe atyre që nuk e kanë kaluar sëmundjen”.

Në detaj ata vaksinuan me vaksinën e Pfizer-BionTech ose të Modernës:

68 persona seronegativë (nuk e kanë kaluar sëmundjen), dhe 41 persona seropozitivë (e kanë kaluar sëmundjen.

Siç e dimë, kjo vaksinë kërkon të përdoret një skemë me dy injeksione me distancë 3-4-javore dhe pritet që maksimumi i përgjigjes të ndodhë rreth 1 javë pas marrjes së dozës së dytë.

Më pas, autorët matën përgjigjen e antitrupave te këta individë, si edhe studiuan efektet anësore ndër ta.

Rezultatet e përgjigjes së titrit të antitrupave (shprehur në AUC “area under the curve”):

Te personat që nuk e kishin kaluar sëmundjen:

përpara vaksinimit: AUC = 1

9-12 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 439

13-16 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.037

17-20 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.037

21-24 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.075

Pas dozës së dytë: AUC = 1.399

Te personat që e kishin kaluar sëmundjen:

përpara vaksinimit: AUC = 91

5-8 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 14.208

9-12 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 20.783

13-16 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 25.927

17-20 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 12.661

21-24 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 16.263

Pas dozës së dytë: AUC = 22.509

Pra e thënë shkurt:

Ata që e kanë kaluar sëmundjen, me një dozë të vetme vaksine arrijnë një nivel antitrupash 10-fish më të lartë se sa personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Marrja e dozës së dytë e ngre nivelin e antitrupave në 16-fish në krahasim me ata që nuk e kanë kaluar.

Efektet anësore të vaksinave:

Të gjitha efektet anësore ishin të lehta.

Efektet anësore ishin më të shumta dhe më të forta te personat që e kishin kaluar sëmundjen.

Efektet anësore përfshinin:

dhembje, enjtje dhe skuqje në vendin e injeksionit,

Lodhje,

Dhembje koke,

Ndjenjë ethesh,

Dhembje muskujsh,

Temperaturë, dhe

Dhembje të artikulacioneve.

Autorët dalin në përfundimin se:

Ndryshimi i politikës së vaksinës që t’u jepet vetëm një dozë vaksine personave që e kanë kaluar sëmundjen:

Nuk do të ndikonte negativisht në titrat e antitrupave,

Do t’u kursente atyre vuajtje të panevojshme, dhe

Do të vinte në dispozicion shumë doza vaksinash që nevojiten me urgjencë për të tjerë. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd