Transmetuar më 23-02-2021, 13:21

Një ditë më parë humbi jetën nga koronavirusi një djalë 17-vjeçar, i cili prej 4 ditësh ishte në intubim në spitalin Covid 1 në Tiranë.

Virusi kishte prekur totalisht mushkëritë e adoleshentit Qamil Seiti. Ndërkohë edhe babai i tij është në luftë me Covid 19.

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ka qenë i ftuar miku i tij, Xhuliano Mata. Gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë, ai tha se nuk ka fjalë për këtë humbje dhe se ndihet i shokuar.

“Isha në shkollë, kur në 5-minutësh na erdhi një lajm i pakonfirmuar. Ne mendonim se nuk ishte i vërtetë. Ishte mesazh se Qamili ka ndërruar jetë. Nuk na binte në mendje që një djalë 17-vjeçar të ndërronte jetë”, – tha ai.

Xhuliano u shpreh se e njeh që të vogël Qamilin dhe se ka qenë njeri shumë pozitiv dhe kishte shumë dëshira në jetë.

“Para 10-ditësh kemi folur me të, kemi folur për të ardhmen tonë. Ai kishte pasion kuzhinën. Madje punonte kur kishte kohë të lirë. E donte të ardhmen. Thoshte, të arrij një gjë të mirë nga vetja. Donte ta bënte familjen e tij krenare”, – tha Mata.

Sipas tij, shoku i ndjerë nuk kishte asnjë sëmundje tjetër.

“Tani babai i tij është në intubim, urojmë të shërohet sa më shpejt. Kur flisnim për virusin, ai kishte merak vetëm nënën dhe babanë, nuk e mendonte se do të shkonin gjërat kështu. Ka patur një vëlla dhe motër më të madh, që janë në gjendje të mirë shëndetësore”, – përfundoi Mata. /e.a/noa.al/

Foto kryesore: Viktima; Foto poshtë: Miku i tij, Xhuliano Mata