Atentati në Kongo, si u ekzekutuan në pyll ambasadori dhe polici italian (Foto)
Transmetuar më 23-02-2021, 08:16

Në Goma, në Republikën Demokratike të Kongos, ndodhi një atentat me armë zjarri dje ndaj makinës ku ndodhej ambasadori italian, Luca Attanasio, i cili vdiq më pas në spital.

Po ashtu, një polic italian i grupit shoqërues të ambasadorit dhe shoferi afrikan, humbën jetën në pritë. Makina ishte pjesë e një autokolone të misionit të OKB për stabilizimin e vendit afrikan.

Sipas qeverisë lokale, bëhet fjalë për një pritë të realizuar nga rebelët Hutu nga Fronti Çlirimtar i Ruandës, ndërkohë që tre persona u rrëmbyen gjatë sulmit.

Pasi vrau shoferin, komandoja ushtarake që sulmoi karvanin, dërgoi në pyll ambasadorin Luca Attanasio dhe karabinierin e shoqërimit, Vittorio Iacovacci dhe atje i ekzekutuan.

Kjo është ajo që raportohet nga rindërtimi i ngjarjes së bërë nga policia lokale, që tani po shqyrtohet nga hetuesit italianë.

Komandoja me gjashtë persona, fillimisht do të sulmonte kolonën dhe do të vriste shoferin. Sulmuesit më pas i çuan të tjerët në pyll dhe ndërsa forcat lokale po vinin për ndihmë, ata qëlluan karabinierin, në një rrethanë në të cilën edhe ambasadori humbi jetën, raportojnë mediat italiane.

Sulmi ndodhi rreth orës 10 (9 të mëngjesit me atë europiane), afër qytetit Kanyamahoro. Atje, ka shumë grupe të armatosura që veprojnë në zonën e maleve Virunga, midis Kongos, Ruandës dhe Ugandës dhe shpesh synojnë rojet e parkut, të famshëm për gorillat e tij malore.

Ndërkohë, karabinieri i vrarë quhej Vittorio Iakovacci, ai ishte 30 vjeç dhe ishte në shërbim në ambasadën italiane që nga shtatori i vitit 2020.

Iacovacci ishte me origjinë nga Sonnino, në provincën e Latinës dhe ishte anëtar i Regjimentit të 13-të Karabinierët ‘Friuli Venezia Giulia’ me qendër në Gorizia.

Ai kishte shërbyer gjithashtu në Folgore. Iacovacci së shpejti do të përfundonte  misionin e tij në vendin afrikan dhe do të kthehej në Itali. /e.a/noa.al/