Transmetuar më 22-02-2021, 14:41

Ishin 24 personalitete të artit dhe politikës shqiptare mbi 80 vjeç, të përzgjedhur nga qeveria për të marrë dozën e parë të vaksinës se Pfizer.

Kjo përzgjedhje ka shkaktuar edhe pakënaqësi.

Mes tyre është ish-ministri Neritan Ceka, i cili mbushi pak ditë më parë 80-vjeç. Ai shprehet se nuk ka problem që të vaksinohen 80-vjeçarët, por shtoi se ata nuk duhet jistifikuar si “VIP-a”.

“Nuk kishte nevojë për një show poshtërues, një diskriminim negativ. Kanë bërë figurën më të keqe dje kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë. Vdekja dhe jeta në dorën e pushtetit”, – tha Neritan Ceka.

I pyetur nëse do shkonte të bënte vaksinën nëse emri i tij do të ishte në atë listë, Ceka u përgjigj prerë“jo”.

“Do kisha kërkuar që t’ia jepja një kolegut tim. Mund të ja jepja një personi që ka më shumë nevojë se unë. Por e mira do të ishte që të ishin vaksina më shumë. Duhej të ishin 200 mijë dhe jo 20 mijë doza”, u shpreh Neritan Ceka.

Vaksinimi i personaliteteve nisi dje, kur në ambientet e stadiumit mbërriti e para aktorja Tinka Kurti, e më pas emra të tjerë të njohur, si Margarita Xhepa, regjisori Piro Milkani, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, si dhe këngëtari Sherif Merdani.

Pjesë e personaliteteve të moshuar që morën vaksinën ishte edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi.

Kjo u diskutua në emisionin “Shqipëria Live”, ku në lidhje të drejtpërdrejtë ishte Neritan Ceka, i cili tregoi edhe njëherë se e ka kaluar Covid-19 dhe se është i imunizuar. Sipas tij, pushteti ndan varfërinë.

/a.m/NOA.al