Ditë e zezë për Elbasanin, një adoleshent dhe një nënë e re humbin jetën nga Covidi
Transmetuar më 22-02-2021, 14:05

E hëna ka rezultuar një ditë e zezë sa i takon informacioneve në lidhje me fatalitetet nga Covid 19 në vendin tonë.

Sipas ‘Faxweb’, një 17-vjeçar dhe një nënë e re shtatzënë, kanë humbur jetën, pa mundur t’ia dalin dhe të fitojnë betejën me koronavisurin. Mësohet se viktimat kanë qenë të dy nga qyteti i Elbasanit.

I riu ishte i shtruar prej disa ditësh në spitalin Covid 1 në kryeqytet. Nuk dihet ende nëse ai ka pasur sëmundje shoqëruese apo jo, ndërsa raportohet se vdekja e tij është një nga moshat më të reja që prej fillimit të pandemisë.

Mësohet seadoleshenti ndodhej prej një jave i intubuar në Infektiv, ndërsa nuk ka detaje nga ana e spitalit, se pse gjendja e tij ka qenë kaq e rënduar, pavarësisht moshës së re.

Sa i takon rastit të 30-vjeçares, burimet shprehen se e reja ka qenë shtatzënë dhe ka humbur jetën pas infektimit me Covid në qytetin e Elbasanit.

Mësohet se ndaj nënës është ndërhyrë që të sillte në jetë fëmijën e saj në muajin e shtatë, për shkak të gjendjes së rënduar.

Pavarësisht ndërhyrjes për të hequr fëmijën, i cili gëzon shëndet të plotë, nëna nuk ka mundur që të mbijetojë, për shkak të komplikacioneve që ka shfaqur pas infektimit. /e.a/noa.al/

Foto: Spitali Infektiv Covid 1 në kryeqytet