Një burrë dhe dy gra tentojnë të kalojnë kufirin me pistoletë në makinë
Transmetuar më 22-02-2021, 11:33

Një burrë nga Kosova dhe dy gra nga Shqipëria, janë arrestuar nga policia në pikën kufitare të Morinës, me akuzën e trafikut të armëve dhe municionit.

Policia thotë se ka kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, mjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F.G. dhe pasagjere shtetaset D. F. dhe M. Q.

Gjatë kontrollit të kryer, në kroskotin e këtij mjeti, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Girsan” dhe 17 fishekë.

"Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve shtetasit: F .G., 34 vjeç, banues në Kosovë, D. F., 36 vjeçe dhe M. Q., 40 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim", – thuhet në njoftimin e policisë Kukës.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme. /e.a/noa.al/