Akuzat për vaksinimin e personaliteteve, Rama: Një zallamahi e turpshme!
Transmetuar më 22-02-2021, 10:53

Pas mbledhjes së shtabit të mazhorancës në selinë e PS, kryeministri Edi Rama komentoi sërish akuzat ndaj qeverisë mbi vaksinimin e personaliteteve mbi 80 vjeç në vend.

Rama tha se është e turpshme krijimi i një zallahie të tillë nga "pseudo-personalitetet për personalitete", që sipas tij, i kanë dhënë kaq shumë vlera morale e shpirtërore vendit tonë.

Sipas kryeministrit, nuk ka qenë kurrë qëllimi i tij që të bëjë diferencime në vaksinim anti-Covid.

"Kurrë s’kam thënë që do të vaksinohen personalitete jashtë kategorisë që kanë radhën për t’u vaksinuar. Kjo është një zallamah që e krijua ju, zëdhënësit e opinionit publik, me në krye disa pseudo-personalitete, që lëshuan një ofensivë pa asnjë dinjitet, pa asnjë kuptim, pse po vaksinohen disa njerëz që janë 80-vjeçarë e plus, – u shpreh Rama. – Të bëhet gjithë kjo për 20-30 njerëz, që i kanë dhënë këtij vendi shumëçka kanë pasur dhe që janë kontribues në krijimin e vlerave morale, shpirtërore, kulturore, historike, të këtij vendi, kjo është e turpshme".

Sipas Ramës "nëse ne do të kishim bërë një grup personalitetesh pa llogaritur këto kategori dhe do të kishim veçuar njerëzit në mosha të ndryshme, atëherë kjo do të hante një diskutim të fortë. Por kjo nuk ka qenë në qëllimet tona, as në realitetin e vaksinimit. Ne jemi në kushtet kur po luftojmë ditë-natë për të siguruar sa më shumë doza vaksinash", – shpjegoi kryeministri. /e.a/noa.al/