Plumba në derë të shtëpisë, mesazh kërcënues xhaxhait për shkak të nipit?
Transmetuar më 20-02-2021, 14:55

Skënder Xhepa, xhaxhai i Ilir Xhepës, i akuzuar si bashkëpunëtor për vrasjen e dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Palulin Gjergji në Laç para thuajse një viti, ka denoncuar në polici për një mesazh që ai e ka cilësuar si kërcënues.

Mësohet se në derën e shtëpisë së tij, ai ka gjetur 8 plumba mëngjesin e sotëm, ndërkohë pas kallëzimit, Prokuroria e Kurbinit ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen.

Vëllait të Skënder Likës, Myslimit, që është babai i Ilir Xhepajt, iu bë atentat pak ditë më parë, ku mbeti i plagosur me disa plumba.

Dyshimet paraprake, janë për një mesazh kërcënues ndaj xhaxhait për shkak të nipit, nga persona të paidentifikuar pas ngjarjeve të kohëve të fundit, që mund të çojnë në një hakmarrje të mundshme.

Të arrestuar dhe në kërkim

Xhepa, (ndodhet në burg), së bashku me katër persona të tjerë, të veshur si policë, ekzekutuan me 20 plumba biznesmenët Bujar Hasani (Lika) dhe Paulin Gjergji (Markaj), teksa ata ndodheshin në ambientet e një hoteli pranë Laçit.

Sipas prokurorisë, 33-vjeçari, akuzohet se është një nga bashkëpunëtorët e Eduart Lamajt për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.

Për këtë ngjarje, deri tani të arrestuar janë Eduart Lamaj, Kreshnik Tusha dhe Ilir Xhepaj pas operacionit të koduar policor  “Ndjekja”.

Ndërkohë, në kërkim për vrasjen e dy biznesmenëve, vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Përkola.

Si ndodhi ngjarja

Në pamjet filmike, të cilat nuk dihet nëse i janë dorëzuar të plota prokurorisë, shfaqen 4 persona të veshur me jelekë, me mbishkrimin policia, të maskuar me kapuç në kokë dhe të armatosur.

Njëri prej tyre, që u identifikua si Eduart Lamaj, shfaqet teksa hyn brenda ambienteve të lokalit, dhe qëllon në drejtim të biznesmenëve, ndërsa në parking mbahen peng nën kërcënimin e armëve të zjarrit, djemtë e Paulin Markut. Sipas prokurorisë, Bujar Hasani (Lika) kundërpërgjigjet me armë dhe e plagos në këmbë.

Më pas, atentatori qëllon me breshëri dhe për pasojë humb jetën Bujar Lika, ndërsa Paulin Gjergji Marku ndërron jetë në Spitalin e Traumës.

I dyshuari Lamaj u arrestua në një klinikë private në Tiranë, 20 ditë pas ngjarjes, kur u paraqit për të bërë ndërhyrje kirirgjikale, për shkak se rrezikonte jetën nga plaga e shkaktuar me armë zjarri.

Në pranga ranë dhe dy mjekët që realizuan ndërhyrjen. Pak ditë pas ngjarjes, në zonën e Astirit u arrestua edhe Ilir Xhepa, ndërsa në kërkim janë dy atentatorët e tjerë. /e.a/noa.al/

Foto: Ilir Xhepa