Patriarku i ri i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, tha se për të dhe për Kishën në vend të parë do të jenë serbët në Kosovë, që sipas tij, jetojnë në unitet të pandashëm me serbët kudo në botë.
“Shqetësimi më i madh për mua dhe Kishën tonë do të jetë Kosova dhe Metohia jonë e shumëvuajtur, Jerusalemi ynë shpirtëror. Kosova dhe Metohia për serbët nuk është thjesht një mit, sepse miti i përket botës së imagjinatës dhe aty mund të humbësh dhe të fitosh”, tha Porfirije.
Ai kujtoi se të rinjtë në Serbi shpesh këndojnë se Kosova është zemra e Serbisë dhe tha se zemra është një organ i jetës dhe dashurisë.
“Pra, në Kosovën tonë ka vend për të gjithë, sepse në zemër mund të qëndrojnë të gjithë”, tha Porfirije.
Patriarku i ri tha se detyra kryesore e Kishës nuk është të krijojë kushte më të mira jetese, për të zgjidhur probleme shoqërore, politike ose të tjera.
Ai tha se do që në Kishë të shkohet për liturgji. Mitropoliti i Zagrebit dhe Lubjanës, Porfirije, u zgjodh të enjten patriark i ri i Kishës Ortodokse Serbe.
Emërimi i tij u bë tre muaj pas vdekjes së patriarkut të mëparshëm, Irinej. Kisha Ortodokse Serbe e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008. \ REL
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd