
Ish-senatori republikan Bob Dole, i cili garoi pa sukses për president në vitin 1996, ka njoftuar se është diagnostikuar me kancer të avancuar të mushkërive dhe do t’i nënshtrohet trajtimit duke filluar javën e ardhshme.
"Kohët e fundit, u diagnostikova me kancer në mushkëri në fazën e katërt …. Edhe pse sigurisht kam disa pengesa përpara, unë e di gjithashtu se u bashkohem miliona amerikanëve që përballen me sfida të konsiderueshme shëndetësore", – tha 97-vjeçari Dole në një postim në Twitter.
STATEMENT BY SENATOR BOB DOLE ON HEALTH CHALLENGES pic.twitter.com/ndRxqNWb30
— Senator Bob Dole (@SenatorDole) February 18, 2021
I njohur për mendjemprehtësinë dhe aftësitë e tij si ligjvënës, Dole ka patur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan, që përfshinte vitet si udhëheqës i shumicës në Senat.
Në fillim të viteve 1980, ai kryesoi Komisionin e Financave të Senatit, i cili merret me politikat e taksave, tregtisë dhe shëndetësisë.
Ai u mposht nga presidenti Bill Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996, me 49.2% të votës kundrejt 40.7%.
Bob Dole mori plagë të rënda në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore, që e bëri të shtrohej në spital për një kohë të gjatë, shkruan Voa.
Ai njihet për lidhjet e tij me Kosovën. Tre dekada më parë, senatori Dole, së bashku me disa ligjvënës të tjerë vizitoi Prishtinën, në një kohë kur Kosova ishte nën sundimin e Beogradit.
Mendohet se vizita e tij luajti rol me rëndësi për zhvillimet e ardhshme në Kosovë. Vitin e kaluar, në Prishtinë u përurua një bust për nder të senatorit Dole. /e.a/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





