



Vajza e Emirit të Dubait, në një video, denoncon se ndihet e kërcënuar nga familja pas tentativës për t’u arratisur nga vendi në vitin 2018
Odiseja e princeshës Latifa, e burgosur për vite me radhë – sipas denoncimeve të përsëritura – nga babai i saj, Emiri i Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, një nga burrat më të pasur në planet, kthehet sërish në qendër të vëmendjes.
Edhe një herë britma e dhimbjes, vjen nga një video e dëshpëruar e vetë Latifas, e xhiruar në fshehtësi dhe e dërguar në programin "Panorama" të BBC, TV britanik, në të cilën princesha, vajza me gruan e parë të Emirit dhe protagoniste vite më parë e një përpjekje të guximshme për të shpëtuar përmes detit, përfundoi me kapjen nga njësitë komando të dërguara nga babai i saj në bregdetin indian.
Kësisoj, ajo e akuzon atë për mbajtjen "peng" në një pallat të familjes në Dubai; dhe se gjithashtu ishte "droguar" në të kaluarën.
Në muajt e fundit, Mohammed al Maktoum, u mposht para drejtësisë britanike në fund të një procesi gjyqësor të bujshëm të ngritur kundër tij, nga një prej bashkëshortëve të tij, Haya bint Hussein, motra e mbretit të Jordanisë, e cila ishte në gjendje të shpëtonte (ndryshe nga Latifa, në kërkim të lirisë) dhe të strehohej në një rezidencë shumë luksoze dhe të blinduar në Londër.
Çështja ligjore ka shkaktuar një siklet të madh në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë dy dinasti dhe dy vende arabe që konsiderohen aleatë shumë të ngushtë të Londrës, si dhe të Uashingtonit.
Rasti i princeshës Latifa, daton që nga viti 2018, kur në YouTube shfaqet një video 40 minutëshe, në të cilën gruaja njofton për arratisjen nga babai i saj.
Në video, Latifa tregon se ishte përpjekur të arratisej nga vendi në vitin 2002 dhe se ishte kapur, burgosur dhe torturuar.
Ajo më pas tregon se si motra e saj, Shamsa pësoi të njëjtin fat. Latifa kishte kohë që ishte në kontakt me Jerve Jaubert, një ish-spiun francez, i cili i tha agjencisë "AP", se ai kishte organizuar arratisjen e saj.
Jaubert, autori i librit "Arratisje nga Dubai", dhe i një daljeje të guximshme nga vendi arabik, gjithashtu raportoi se si Latifa ishte e tmerruar dhe se kishte vite që e mendonte një gjë të tillë.
Deri në mars 2018, kur Latifa kërkon azil politik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç konfirmohet nga disa avokatë, e reja përgatit pamjet që do të bëhen publike në rast se arratisja e saj do të dështonte.
Me ndihmën e Jaubert, si një mburojë për të shpëtuar, ajo organizon një ekspeditë zhytjeje në Omanin fqinj, por anija në të cilën udhëtonte me miqtë, ndalohet nga ushtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët marrin Latifan dhe e tërheqin mes ulërimave.
Latifa rishfaqet në dhjetor 2018, në disa imazhe që e portretizojnë atë me ish-komisioneren e lartë të OKB dhe ish-presidenten irlandeze, Mary Robinson.
Në atë kohë, Robinson shpjegoi se ajo ishte ftuar në Emirate nga princesha Haya, në atë kohë ende gruaja e Emir Mohammad al-Maktoum, për ta "ndihmuar atë me një problem familjar".
"Latifa është e brishtë, ajo ka vështirësi. Ajo bëri një video për të cilën ishte penduar më vonë, – tha Robinson në atë kohë, – dhe planifikoi një arratisje".
Por këto, janë fjalë, që vetë Robinson i mohon sot. Komplot politik ose jo, rasti i princeshës Latifa, në të vërtetë është një histori enigmë? Misteri është ende për t’u zbardhur. /e.a/noa.al/
Burimi: "Corriere della Sera"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





